Kuvendi ka nisur shqyrtimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, e cila kërkon të rrëzojë disa nene të reformës zgjedhore.
Eksperti i çështjeve zgjedhore, Kristaq Kume i ftuar në RTV Ora me gazetaren Kostana Morava tha se në Kuvendin e Shqipërisë kjo punë nuk ka filluar akoma, Kuvendi vetëm ka marrë vendimin për ngritjen e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, por ky komision nuk është konstituuar si i tillë.
Kume: Poroblemi brenda opozitës nuk është zgjidhur dhe si duket do vazhdojë të kërkojë akoma kohë për tu zgjidhur. Në varësi të kësaj gjëje do jetë dhe fillimi i punës në komisionin parlamentar për reformën zgjedhore. Nëse ky komision do fillojë punë, duhet të merren parasysh punë që i takojnë rregullimeve në Kodin Zgjedhor 2 komponentë të rëndësishme. Së pari probleme që lidhen me zgjedhjet e qeverisjes vendore, të cilat vijnë shumë shpejt dhe problemet që lidhen me zgjedhjet parlamentare.
Që të rregullohet legjislacioni për zgjedhjet e ardhshme për organet e qeverisjes vendore, duhet të punohet edhe në komisionin për reformën territoriale administrative. Për mua është e domosdoshme që të trajtohet edhe problemi që ka të bëjë me legjislacionin për organizimin dhe funksionimin e pushteti vendor sepse ajo ç’ka ka prodhuar ky pushtet nuk është në përputhje dhe sipas pritshmërive. Shumë qytetarë nuk e ndjejnë veten të përfaqësuar nga anëtarët e këshillit bashkiak. Do të thotë që ka nevojë të ndërhyhet në legjislacion, në kuptimin që t’i jepet mundësia komuniteteve të përfaqësohen.