Drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare e konsideron si një padrejtësi të madhe mbylljen e kampionatit italian nga pandemia Covid-19. Ai thotë se kështu do të largohen nga puna shumë njerëz që e mbajnë familjen e tyre me sportin e futbollit.
Zyrtari i Lacios ka kërkuar gjithashtu që në Itali të implementohet një protokoll i ngjashëm me atë të Gjermanisë, siç në fakt e ka marrë edhe Shqipëria. Pra, nëse një lojtar infektohet, të karantinohet vetëm pjesëtari i ekipit, jo e gjithë skuadra.
“Do të jetë një fatkeqësi sociale nëse mbyllet futbolli. Shumë muaj pasivitet do të ishte e rrezikshme. Kushdo që thotë se “duam të vazhdojmë kampionatin” vetëm për interes personal, nuk ka kuptuar asgjë. Futbolli mban 370 mijë njerëz. Nëse ndalet do të jetë një dështim. Ka mijëra njerëz dhe familje që punojnë, ne kemi për detyrë t’i mbrojmë”, thotë Igli Tare.
“Nuk mendoj se ministri Spadafora ka ndonjë qëllim të keq, por me siguri që ka qeveri në Europë të cilat duan ta ndihmojnë futbollin: Gjermania, Spanja dhe Anglia. Në Itali nuk është ky rasti, as në Francë ku gjithçka është bllokuar përfundimisht. Madje unë mendoj se qeveria franceze do të humbasë shumë çështje me klubet. Njerëzit janë nervoz dhe futbolli është terapia e tyre. Topi mund të jetë shenja e parë e jetës që fillon përsëri”, shprehet Tare.