Josep Maria Bartomeu konfirmon interesin e Barcelonës, për sulmuesin e Interit Lautaro Martinez ndërsa në lidhje me të ardhmen e Lionel Messit hedh edhe njëherë tjetër poshtë zërat që flasin për një largim të yllit argjentinas nga blaugranat duke theksuar edhe njëherë tjetër se Messi dëshiron ta mbyllë karrierën te Barça.
“Ne kemi biseduar me Interin, por tani gjithçka është pezull. Fokusi sportiv për momentin është te Champions League, që është shumë pranë”, shprehet Bartomeu për “Mundo Deportivo”, kur pyetet në lidhje me Lautaro Martinez.
“Messi e ka thënë disa herë që dëshiron ta mbyllë karrierën këtu dhe nuk kam asnjë dyshim që ai do ta rinovojë kontratën.
Kam një marrëdhënie shumë të ngushtë me të, sikurse bëj me të gjithë kapitenët”, shprehet presidenti i katalanasve, i cili ende nuk ka marrë vendim se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e trajnerit Quique Setien.