Reagimet e zyrtarëve pas shtimit të rasteve me COVID-19 në SHBA

0
Gjigandi

Infeksionet me koronavirus vazhdojnë të rriten në Shtetet e Bashkuara. Rritja e raportuar në qershor nuk ishte parë qysh nga muaji mars. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Arash Arabasadi njofton nga Uashingtoni se si ligjvënësit, së bashku me zyrtarë shtetërorë dhe federalë, po reagojnë ndaj lajmeve të zymta.

Këshillat e ekspertëve nuk kanë ndryshuar. Vini maska në publik, mbani distancë dhe lani duart. “Kjo është pjesë e një procesi ku ne mund të jemi pjesë e zgjidhjes ose pjesë e problemit. Nëse nuk e zhdukim shpërthimin, herët a vonë, edhe ata që po reagojnë mirë, do të jenë të prekshëm nga përhapja. Duhet ta kemi parasysh këtë sepse, në këtë krizë, jemi të gjithë së bashku. Dhe e vetmja mënyrë sesi do t’i japim fund është duke i dhënë fund bashkë”, tha dr. Anthony Fauci.
Shtetet e Bashkuara kanë katër përqind të popullsisë në botë, por numri i rasteve të konfirmuara këtu përbën një të katërtën e më shumë se 10-milion të prekurve me COVID-19. Rastet vetëm në shtetin e Arkansa u rritën me gati 25 përqind këtë javë.
Guvernatori i këtij shteti, Asa Hutchinson bëri thirrje për më shumë testime. “Kemi dyfishuar numrin e testimeve në shkallë vendi. Dhe duhet ta dyfishojmë përsëri. Kjo është ndoshta gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë. Ndërsa ne kemi rritur testimin në mënyrë dramatike në Arkansas, jam i shqetësuar si udhëheqës shteti me kërkesat për testime nga Kalifornia dhe Teksasi – disa nga shtetet me popullsi të lartë – si do të plotësojnë këto kërkesa kompanitë komerciale që ofrojnë testime?”
Hutchinson bëri thirrje për përdorim më të gjerë të Ligjit të Prodhimit për Mbrojtje, i cili i jep Presidentit Donald Trump autoritetin e emergjencës për të kontrolluar industritë e brendshme, si ato që bëjnë veshje mbrojtëse. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha se përdorimi i detyruar me ligj i maskave në të gjithë vendin është i vonuar, diçka që administrata Trump nuk e ka bërë.
“Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve ka rekomanduar përdorimin e maskave, por nuk e ka bërë atë të detyrueshme, pasi nuk duan të ofendojnë presidentin. Presidenti duhet të jetë shembull. Burrat e vërtetë mbajnë maska. Bëhuni një shembull për vendin dhe vini maskën. Kjo nuk është për të mbrojtur veten, por për mbrojtur të tjerët”, tha zonja Pelosi.
Presidenti në përgjithësi nuk mban maskë në publik, dhe në një tubim të fundit të fushatës në Oklahoma, fajësoi shtimin e testimeve për numrin e lartë të rasteve në Sh.B.A. “Testimi është një thikë me dy presa. Ne kemi testuar 25 milion njerëz, këtu është e keqja. Kur bën testime në këtë masë, do të gjesh më shumë të infektuar. Do të gjesh më shumë raste. Kështu që u thashë njerëzve të mi: “Ngadalësoni testimet, ju lutem”. Numri i vdekjeve në shkallë vendi kap shifrën 125 mijë, ndërsa në shkallë globale i kaloi gjysmë milionë.

Burimi: top-channel.tv

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu