Eshtrat e efektivëve të rënë në krye të detyrës, Artan Cuku, Elham Elezaj dhe Rufan Hakramaj, do të prehen në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”.
Zhvendosja e eshtrave të tyre u bë në ditën e përkujtimit të atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit, demokracinë dhe në shërbim të shtetit.
“Lufta kundër krimit të organizuar vijon të jetë e ashpër, por sakrifica e të rënëve në krye të detyrës, u jep edhe më tepër forcë atyre që çdo ditë mbajnë të veshur uniformat shtetërore”, ka thënë drejtori i policisë, Gledis Nano.
“Të gjithë dëshmorët pavarësisht nëse kanë rënë në luftë apo në paqe, ata kanë një gjë të përbashkët; e deshën atdheun më shumë se jetën, ose siç thotë kryeministri e deshën atdheun me jetë. Ata kanë rënë në krye të detyrës për të mbrojtur ligjin, kushtetutën dhe për ta bërë vendin më të sigurt”, shtoi Nano.
“Për familjarët e të rënëve në krye të detyrës, largimi i tyre ishte i parakohshëm dhe se strukturat shtetërore duhet të jetë më të forta për të mbrojtur të drejtën”, tha Nano.
Në Shqipëri janë vrarë në krye të detyrës rreth 225 policë, disa gjatë aksioneve policore e disa në atentate ndaj tyre. /A2 CNN/