Pesë ditë janë bërë prej që agresioni rus sulmoi Ukrainën.
E mëngjesin e sotëm kryeministri i Shqipërisë e ka nisur me një fotografi të një fëmije në Ukrainë.
“MIRËMËNGJES 💔🇺🇦😊”,
ka shkruar Rama në fotografinë që shpërndau këtë mëngjes.
Ndërkohë që paraditen e kësaj të hëne në kufirin bjellorus me Ukrainën pritet që të takohen zyrtarët ukrainas dhe ata rusë. Kështu ka bërë të ditur të dielën zyra e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Ministria e Jashtme e Bjellorusisë ka publikuar një foto të vendit ku pritet të zhvillohen negociatat e sotme Rusi-Ukrainë.
“Në Bjellorusi, gjithçka është gati për negociatat Rusi-Ukrainë. Në pritje të mbërritjes së delegacioneve”,
thuhet në shkrimin e ministrisë në Twitter.
Këto janë bisedimet e para prej kur Rusia ka nisur pushtimin ndaj Ukrainës në mëngjesin e 24 shkurtit.
Ky takim vie si rezultat i një bisede telefonike mes presidentit ukrainas Zelensky dhe presidentit bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.
Ndërkohë që kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson ka shprehur dyshime për sinqeritetin e presidentit rus, Vladimir Putin në lidhje me hyrjen në negociata me Ukrainën, por ka rënë dakord që është e nevojshme të përpiqet t’i jepet fund këtij agresioni.