Pavarësisht raporteve që evidentuan mungesën e lirisë së mediave në Shqipëri, për Edi Ramën, mediat shqiptare kanë lirinë më të madhe në raport me rajonin.
Edi Rama iu përgjigj si më poshtë interesimit të gazetarëve për këtë çështje.
Indeksi i lirisë së medias?
Në asnjë vend të rajonit mediat nuk e kanë lirinë që kanë në Shqipëri. Nuk ka raport dhe nuk ka indeks, nuk ka top që e luan këtë pavarësisht se çfarë mund të thonë indekset dhe raportet. Për mua raportet që meritojnë të lexohen janë shumë pak, duke filluar nga raporti i progresit të BE-së, ku një grup i tërë njerëzisht punojnë 24/7 pa pushim për të përgatitur raportin të bazuar mbi fakte dhe dokumente dhe jo mbi perceptime dhe interesa të caktuara. Kam mësuar nga gjithë këto vite leximi që të jem selektiv në leximin e tyre sepse një pjesë e këtyre raporteve nuk janë të besueshëm.
Por edhe raporti i DASH dhe rezoluta e PE-së ngre shqetësimin për situatën e mediave në Shqipëri?
Nuk shoh asnjë shqetësim për situatën e medias në Shqipëri përveç shqetësimit që çdo ditë më shumë shtohen viktimat e abuzimeve në emër të lirisë së shprehjes, shtohen viktima e shpifjes, të fabrikimeve, e bullizmit. Vitin e kaluar nuk më rezulton se ka pasur asnjë gjyq të bërë ndaj asnjë gazetari, nuk më rezulton se ka pasur asnjë gazetar të kërcënuar nga asnjë lloj organizate, të paktën ato që janë të deklaruara. Nëse pastaj kush bën raportet ka të dhëna të padeklaruara do të isha shumë i lumtur që të vihesha në dispozicion për t’i marrë vesh këto të dhëna. Por që mbas vitit të shkuar kur gjithçka ka shkuar pa asnjë problem, pa asnjë incident, pa asnjë presion, pa asnjë ndërhyrje, gjë që e dëshmon dhe marrëdhënia ime me ju besoj përfshirë.
Me ju, flas për ju të gjithë.
Koncepti i riedukimit në këtë rast lidhet me nevojën që ashtu sikundër unë respektoj të gjithë ju, ashtu edhe ju duhet të më respektoni mua jo për personin, por për publikun. Në asnjë vend të botës liria e shtypit nuk i jep të drejtë askujt që të bëjë zhurmë dhe të mos mbajë nivelin minimal etik. Nëse ky është presion për shtypin, atëherë këtu realisht shtypi është tejet i lirë.