Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sot pas publikimit të Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit nga organizata “Reporterët pa Kufij”.
Në një njoftim në Twitter, Rama i ka quajtur disa nga gjetjet në raport si të pavërteta.
“Në Shqipëri s’ka as media të intimiduar, as gazetarë të penguar në lirinë e tyre. Madje në Shqipëri ka gjithnjë e më shumë viktima të shpifjeve, gënjeshtrave e lajmeve të rreme!”, ka thënë Rama.
“Flitet për gjyqe me gazetarë, kur në fakt s’ka! Flitet për ligjin antishpifje kur në fakt s’ekziston!”, shton kryeministri.
“Gazetarët viktima të dhunës policore në Shqipëri? Çfarë gënjeshtre! Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme politike? Çfarë fantazie! Vetërregullim etik në median shqiptare? Çfarë talljeje! Vetëm titulli mungon: Ankesa për mungesën e lirisë ngaqë s’dimë ç’të bëjmë me lirinë!”, ka theksuar Rama.
“E di që edhe ky opinion i imi do klasifikohet si sulm, presion, agresion kundër mediave, por e kam të pamundur të hesht kur shoh se si tallen disa me lirinë e fjalës dhe se si liria e shtypit bëhet liri e shtypjes, duke shkelur mbi faktet, njerëzit dhe vendin,në emër të saj!”, ka thënë kryeministri në përmbyllje të postimit të tij.
Kujtojmë se në raportin e ri të organizatës ‘Reporterët Pa kufij’ Shqipëria renditet në vendin e 103, duke humbur pikë në lirinë e medias.
Shqipëria bën pjesë në listën e shteteve ku autoritetet kanë intensifikuar ligjet kundër gazetarëve.
/abc24.al/
Gazetarët viktima të dhunës policore në Shqipëri?Çfarë gënjeshtre!Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme politike?Çfarë fantazie! Vetërregullim etik në median shqiptare?Çfarë talljeje!Vetëm titulli mungon:Ankesa për mungesën e lirisë ngaqë s’dimë ç’të bëjmë me lirinë!
– Edi Rama (@ediramaal) May 3, 2022