Qeveria amerikane i jep Novavax 1.6 miliardë dollarë për vaksinën Covid-19

0
Gjigandi

Novavax Inc., një nga kompanitë kryesorë farmaceutike në garën për të zhvilluar një vaksinë për Covid-19, do të marrë 1.6 miliardë dollarë nga programi i qeverisë amerikane për të zhvilluar vaksinën e saj eksperimentale. Fondet do ta ndihmojnë kompaninë të kryej testimin, komercializimin dhe prodhimin e një vaksine të mundshme të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, me qëllim që të sigurohet shpërndarja e 100 milionë dozave deri në janar 2021.

Fondet e dhëna për Novavax janë më të mëdhatë që jepen nga “Operacioni Warp Speed”, programi i Shtëpisë së Bardhë që synon të përshpejtojë qasjen tek vaksina dhe trajtimet për të luftuar koronavirusin që shkakton COVID-19. “Këto fonde do të sigurojnë prodhimin e 100 milionë dozave, të cilat do të shpërndahen duke filluar nga tremujori i katërt i këtij viti, dhe mund të përfundojnë deri në janar ose shkurt të vitit të ardhshëm,” i tha shefi ekzekutiv i Novavax, Stanley Erck agjencisë Reuters.
Fondet do të mbulojë gjithashtu koston e fazës së tretë dhe më të madhe të testimit të vaksinës tek njerëzit, që mund të fillojë qysh në tetor. Njoftimi pason një investim prej 456 milionë dollarësh për vaksinën eksperimentale të kompanisë Johnson & Johnson në mars, një fond prej 486 milionë dollarësh për Moderna Inc në prill, dhe deri në 1.2 miliard dollarë mbështetje në maj për vaksinën e kompanisë AstraZeneca që po zhvillohet me Universitetin e Oksfordit. Qeveria amerikane i dha gjithashtu kompanisë Emergent Biosolutions 628 milion dollarë për të zgjeruar kapacitetin e brendshëm prodhues për një vaksinë të mundshme të koronavirusit dhe ilaçeve për të trajtuar COVID-19.
Një vaksinë e sigurt dhe e efektshme shihet si kritike për t’i dhënë fund një pandemie që ka marrë mbi gjysmë milioni jetë njerëzish në të gjithë botën, rreth një e katërta e tyre në Shtetet e Bashkuara. Kompania me bazë në Gaithersburg të Merilendit nuk ishte në listën e finalistëve për zhvillimin e vaksinave të Operacionit Warp Speed raportuar nga gazeta New York Times që përfshinte Modernën, AstraZeneca, Pfizer Inc, J&J, dhe Merck & Co.
Në maj, Novavax mori një financim shtesë prej 388 milionë dollarë për zhvillimin e vaksinës COVID-19 nga Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI) pas një investimi prej 4 milionë dollarësh në mars. Në qershor, Departamenti amerikan i Mbrojtjes i dha kompanisë 60 milionë dollarë për të mbështetur prodhimin e 10 milionë dozave të vaksinës së saj në vitin 2020.
Kompania është në proces të transferimit të teknologjisë së saj të vaksinave tek një prodhues kontraktor të paidentifikuar që ka dy lehtësira të mëdha prodhuese, tha drejtori ekzekutiv Stanley Erck. Kjo është përveç punës që po bëhet nga Emergjent Biosolutions që po prodhon doza për të furnizuar provat klinike më të vogla të hershme dhe të mesme të kompanisë.
Novavax gjithashtu ka një fabrikë prodhuese në Republikën Çeke dhe shpreson të ketë dy të tjera në Evropë dhe një në Azi, tha Erck. Kompania po punon gjithashtu me një prodhues në Indi.
“Ne bëjmë një proteinë të cilën e përziejmë me një ndihmës kimik për të stimuluar një reagim më të mirë imunitar. E kemi bërë këtë për një dekadë që kam qenë me kompaninë. Kjo është vaksina ime e tretë për koronavirusin. Kemi bërë një për SARS dhe një për MERS. Kemi bërë një vaksinë për Ebolën. Pra, platforma është përdorur. Njerëzit e kuptojnë se është e sigurtë. Ata e pranojnë se ka qenë e efektshme në sëmundje të tjera, kështu që është një teknologji e provuar. Dhe tani ne vetëm duhet ta modifikojmë atë për koronavirusin e ri”, tha shefi ekzekutiv i kompanisë.

Burimi: top-channel.tv

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu