Janë publikuar pamjet e vrasjes së vëllait të Talo Çelës, Bujar Çela. Krimi i rëndë ndodhi më 17 shtator të vitit 2020, në një lokal në Bradashesh të Elbasanit.
Siç duket dhe në pamje e kamerave të sigurisë, vrasja ka ndodhur në orën 05:54 minuta të mëngjesit. Bujar Çela ndodhet i ulur në lokal nën shoqërinë e një tjetri personi, ndërsa ngjitur me ta, në një tjetër tavolinë ndodhen disa persona të tjerë.
Në pamjet e siguruara nga Abc duket se në krim kanë marrë pjesë tre persona. Fillimisht ndaj Bujar Çelës është qëlluar nga një distancë, më pas drejt tij afrohet një tjetër person, i maskuar me kapele dhe me armë në dorë, i cili qëllon disa herë.
Më pas afrohet një tjetër person, me kapele dhe me jelek anti-plumb, i cili në dorë mban një pistoletë me silenciator. Pak sekonda më vonë një person i tretë, sigurohet se Bujar Çela nuk ka asnjë shenjë jete.
Për këtë krim akuzohet Nuredin Dumani, dosja e të cilit është transferuar në Prokurorinë Speciale kundër Krimit dhe Korrupsionit. Dumani u arrestua në Fier mbrëmjen e 29 marsit, pas një atentati të dështuar ndaj tij në Elbasan.