Pse stadiumi i Kavajës shihet si i njerkës?!

0
Gjigandi

Besa, ndryshe nga shumica e skuadrave të Kategorisë së Parë, ka vendosur që të zbresë në fushë sot dhe jo të hënën. Mesfushori i Besës, Alket Çelhaka, ka treguar edhe gjatë këtyre 2 muajve karantinë se mbetet vërtet kapiten, duke dhënë shembullin e tij personal. Ai është i vetmi futbollist që nuk i është ndarë stërvitjes për asnjë ditë.

“Jam stërvitur në mënyrë individuale dhe me trajnerin Ariel Shtini në aneksin stërvitor. Nuk mund të kuptoj jetën pa futboll. Jo vetëm sot që jam lojtar aktiv, por besoj edhe nesër, kur t’i dorëzoj këpucët, përsëri pa futboll nuk do të rri. Gëzoj një formë mjaft të mirë dhe mezi po pres të rinisim në grup stërvitjen”, shprehet mesfushori i Besës. Çelhaka flet më tej për atë që pritet nga Besa në 6 javët e mbetura të kampionatit.

“Mezi e presim rifillimin e ndeshjeve. Kemi një skuadër me moshë të re, me lojtarë që duan të tregojnë vlera. Patjetër që Besa do t’i bëjë një mbyllje të denjë sezonit. Nuk e mohojmë se dështuam në objektivin madhor të ngjitjes në Superiore dhe ky është viti i 6-të që dështojmë, por të paktën të bëjmë autokritikë në javët e mbetura.

Duam të dëshmojmë se mund të ishim ne kryesues me meritë, por do të luajmë edhe në shërbim të sezonit tjetër. Tashmë kohë nuk ka dhe nëse gjërat do të ecin pa rrezikun e virusit, do të nisim përgatitjet për sezonin e ri. Më gëzon fakti që tani e kemi grupin thuajse 80% dhe thjesht me 3-4 afrime do të jemi Besa që duan tifozët”, ka shtuar Çelhaka.

STADIUMI – Të gjithë janë koshientë se Besës i duhet patjetër stadiumi gati që të kthehet në Superiore. Çelhaka apelon që bashkia, presidenti Bizhdili dhe FSHF-ja të investojnë. “Shikoni çfarë ndodh! Nga Korça, Gjirokastra, Vlora, Elbasani, Fieri tani, Durrësi, Tirana, Shkodra e Kukësi ka pasur investime për stadiumin, vetëm Kavaja është lënë si e ‘njerkës’. Stadiumi ynë nuk ka parë asnjë investim kapital. Të dhemb shpirti kur e sheh në atë gjendje, duhet ndërhyrë urgjentisht. Shtatori vjen shpejt dhe Besa përsëri do të bredhë si refugjate”, ka përfunduar apelin e tij kapiteni i Besës.

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu