Manchester City shkatërroi 5-0 Burnley në sfidën e javës së 30-të të Premier Leagues, por për Citizens kjo ishte fitore e hidhur, pasi në fundin e pjesës së parë Sergio Aguero u detyrua të linte fushën i dëmtuar në gjurin e majtë.
Fytyra e Pep Guardiola në momentin e dëmtimit të sulmuesit shprehte qartë shqetësimin për gjendjen e tij e tashmë lajmi i keq konfirmohet edhe nga babai i argjentinasit, i cili ka zbuluar se Aguero duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.
Leonel del Castillo zbuloi se sulmuesi i tij ka pësuar një dëmtim serioz në menisk:
“Pak kohë më parë, fola me të. Dëmtoi gjurin ku ndiente shqetësime edhe gjatë javës. Këtë të martë do t’i bëjnë rezonancën magnetike për ta përcaktuar më saktë shkallën e dëmtimit. Mendoj se do të operohet në Barcelonë, të enjten ose të premten, aty ku i ndodhi herën e fundit”.
Aguero iu nënshtrua një operacioni të ngjashëm para Kupës së Botës “Rusi 2018”. Edhe në atë rast udhëtoi në Spanjë për ndërhyrjen.