Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho i ftuar në “radari Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, ka folur për deklarata e bëra nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili tha se nuk e njeh Komisionin e Rithemelimit dhe se nuk do të negociojë me ta për emrin e presidentit të ri.
Spaho tha se edhe sikur të kishin një ftesë nga PS nuk do të bëheshin pjesë e procesit për zgjedhjen e presidentit të ri, për sa kohë që emri i tij do të propozohej nga radhët e mazhorancës.
Ai theksoi se PD nuk duhet të bëhet pjesë e një procesi fars.
Pjesë nga diskutimi:
Xhokaxhi: PS do të fillojë nesër konsultimet për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, Balla tha se nuk e njeh Komisionin e Rithemelimit, ka zgjedhur të negociojë Alibeajn?
Spaho: Nuk është hera e parë që Balla mbështet përfaqësuesit e grupit të Lulzim Bashës. Që nga shtatori e këtej të njëjtën gjë ka bërë. Nëse ju kujtohet në zgjedhjet e 6 marsit, bëri hapur thirrje për të votuar kandidatët e Bashës. Ne nuk kemi asnjë interes për presidentit, pasi është një zgjedhje e njëanshme, do të zgjidhet ai person të cilin Rama e ka vendosur në mendjen e tij, por ka nevojë për një mbulesë gjoja konsultimesh. Kandidatët i japin deputetët e PS nga 3 emra secili në zarf. Ne nuk ka arsye të marrim pjesë në këtë farës për ti dhënë kopertinë Edi Ramës, edhe po të na ftonte s’do ishim pjesë në këto kushte. Ne do të ishim pjesë e procesit vetëm nëse Rama do të votonte një nga kandidaturat e propozuara nga opozita.
Xhokaxhi: Po nëse Alibeaj bën një konsultim me grupin dhe nxjerr disa emra për të negociuar?
Spaho: Jo është bërë fare e qartë nga mazhoranca që kandidatin e propozojnë ata, prandaj ne nuk do të jemi pjesë e procesit.
Xhokaxhi: Me atë që deklaroi sot Balla, mos njohja që socialistët i bëjnë Komisionit të Rithemelimit, çfarë do të thotë për ju?
Spaho: Për ne do të thotë asgjë, ky qëndrim i Ballës, për arsyet që ua shpjegova. Për ne ka rëndësi çfarë thotë anëtarësia e PD, kë njeh, ka rëndësi çfarë mendon elektorati i djathtë. Nëse Balla nuk dëshiron të shohë realitetin është puna e tij.
Xhokaxhi: Po për reformën Zgjedhore?
Spaho: Kur t’i vijë koha ne do të mbajmë qëndrimin tonë, nuk do lëmë Ballën të bëjë sipas dëshirës.