Premier Liga ka kontaktuar klubet e saj për t’i paralajmëruar ato për rrezikun që u kanoset nga sulmet terroriste me të nisur futbolli.
Me nivelin e kërcënimit të vendit të cilësuar “i konsiderueshëm”, diskutimet për të marrë masa kundër terrorizmit nuk po nënvlerësohen pavarësisht krizës së koronavirusit.
“DailyMail” zbulon se Liga Angleze e Futbollit ka bërë një tjetër hap, duke u kërkuar skuadrave të saj që të rishikojnë procedurat e tyre të sigurisë, pavarësisht se futbolli do të rinisë pa tifozë.
Shqetësimet e autoriteteve të futbollit janë ngritur pikërisht për shkak të uljes së mundshme të vigjilencës së forcave të sigurisë, duke qenë se 92 ndeshjet e mbetura të Premier Ligës do të luhen me një prezencë maksimale prej 300 personash.
Diskutimet mes autoriteteve të futbollit dhe klubeve gjatë kësaj periudhe ku është folur për rinisjen e futbollit prej datës 17 qershor, janë përqendruar edhe te tema e sigurisë.
Në protokollin e udhëzimeve të mbarëvajtjes së ndeshjes, dërguar në secilin klub, Liga e Futbollit thotë se kur sezoni futbollistik të rifillojë, do të jetë prezent një rrezik i mundshëm për sulme te terroriste apo krime të tjera.