“A keni marrë qetësues gjatë kësaj kohe”,
e pyeti gjyqtari Ludian Zaimin, i cili qëndroi vetëm 18 muaj në polici dhe doli prej andej si një vrasës i kolegut të tij, Çaush Saliasi.
25-vjeçari, me gradën nën/inspektor në Policinë e Shtetit, u shfaq i penduar dhe u përgjigj se merrte qetësues, por pa shpjeguar se nga çfarë vuante dhe nëse po trajtohej apo jo për depresion. Diagnoza e tij do të caktohet nga një grup ekspertësh pasi prokuroria ka kërkuar kqyrjen e kartelës së policit, që një vit më parë ishte vizituar te një psikiatër në Tiranë por që askush nuk dinte gjë. Avokati që iu caktua nga shteti, tha se polici mezi shqiptoi gjeneralitetet në gjykate dhe përgjigjen “po merrja qetësues”.
I përshkruar nga kolegët si një tip i mbyllur, polici 25-vjeçar pretendohet se gjatë muajve të fundit u bullizua nga kolegët më të mëdhenj në moshë. Por kjo problematike nuk ishte pikasur nga eprorët, ashtu si edhe problemet e shëndetit mendor të tij. Megjithatë Ludian Zaimi akuzohet për vrasje me paramendim.
Polici i ri e qëlloi kolegun brenda në komisariatin numër 3 dhe hetimet tregojnë se ai u kujdes që mos të dëmtoheshin aksidentalisht kolegët e tjerë që gjendeshin aty, të cilët i paralajmëroi të largoheshin.