Dy persona kanë rënë në prangat e policisë për shkak të aksidentit të ndodhur dje në autostradën Tiranë-Durrës. Shtetasit F. T., 54 vjeç, banues në Tiranë dhe P. T., 49 vjeç, banues në Krujë, janë arrestuar pas përfundimit të veprimeve të para hetimore ku u bë zbardhja dhe dokumentimi i plotë i ngjarjes së rëndë. Sipas policisë, arrestimi i tyre u bë për shkak se në autostradën “Tiranë-Durrës”, tek mbikalimi i këmbësorëve në Shkozet, mjeti tip “Fiat Dukato” që drejtohej nga shtetasi F. T., dhe mjeti autobuz tip “Skania” që drejtohet nga shtetasi P. T., janë përplasur me motorin tip “Dajang”, me drejtues shtetasin R. B., 25 vjeç, banues në Durrës, i cili ka ndërruar jetë. Mësohet se 25 vjeçari i aksidentuar për vdekje, shpërndante pica me motor. Materialet për këtë çështje i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.