Ai ka trajnuar dhe ka fituar titullin kampion në Itali, Francë, Spanjë, Angli dhe Gjermani. Ancelotti ka përvetësuar zakonet dhe traditat e gjysmës së Evropës, por dashuria për kuzhinën italiane nuk mund të mposhtet. Edhe nëse fiziku.
Mister Evropa
Me triumfin e fundit të Real Madridit, Carlo Ancelotti u bë trajneri i parë në histori që fiton titullin në pesë ligat më të mira të Evropës: Itali, Francë, Spanjë, Angli dhe Gjermani. Një rekord i merituar për një trajner që ishte tashmë i vetmi me tre tituj në dy ekipe të ndryshme. Pas fitores së La Liga-s me Real Madridin, zbulojmë pasionet e tij mes stërvitjes (ecjes dhe çiklizmit) dhe dietës. Ai është një adhurues i ushqimit të mirë, por detyrohet të kufizohet për “hatrin” e gjunjëve.
Gjyshi Carlo
Nipërit e tij kujdesen për ta mbajtur atë në formë para se të ushqehet dhe të bëjë palestër. Janë pesë nipër, tre nga Katia dhe dy nga Davide, që e duan shumë gjyshin e tyre. Të vegjlit e Davide, tre vjeç e gjysmë, quhen Lucas dhe Leonardo, kanë lindur në Napoli (nëna Ana është spanjolle), ndërsa tre të Katia-s (babai është dietologu i Realit, Mino Fulco) janë Andrea, Alessandro dhe Aurora. Pas triumfit të Realit ata ishin në fushën e “Bernabeu” për të festuar me gjithë familjen.
Pasioni për gatimin dhe verën
Carlo Ancelotti është një adhurues i mishrave të pjekur, verës, picës dhe në veçanti kuzhinës emiliane. Ai e do ushqimin e mirë dhe receta e tij karbonara është bërë e famshme te Bayerni. I pëlqen të gatuajë dhe gjithashtu të zgjedhë verërat e duhura. Për shembull, kur u intervistua për rubrikën “Në drekë me Financial Times”, Ancelotti zgjodhi një shishe “Guidalberto”, një nga verërat e tij të preferuara, e bërë nga “Cabernet Sauvignon” dhe “Merlot”.
Dieta e gjurit
Pavarësisht kësaj dashurie të madhe për ushqimin e mirë, Ancelotti nuk e tepron shumë. Dhe ka një arsye shumë specifike, siç ka thënë ai vetë: “Në tavolinë përmbahem, mësova ta bëj, ia imponova vetes në vitin e dytë në Londër, kur peshoja 101 kilogramë. Duhet ta bëj për problemet e gjurit (të lindura që kur luante futboll), sepse duke mbajtur peshën nën kontroll mund t’i mbroj dhe të shmang protezat”. Ancelotti ka kryer gjashtë operacione në këmbët e tij.
Shëtitjet, deti dhe biçikleta
Gjithashtu dhe mbi të gjitha për këtë arsye ai nuk mund të bëjë kushedi se çfarë aktiviteti fizik: “Kur ngrihem ndjej sikur të gjithë gjunjët më plasariten”. Kjo është arsyeja pse ai ecën dhe mbi të gjitha nget biçikletën me një ritëm të mirë, por jo të tepruar.