Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar sot në një postim në rrjetet sociale pamjet e projektin për rindërtimin e “Sheshit të Flamurit” në Vlorë.
Postimi vjen pas protestave të qytetarëve të Vlorës kundër këtij projekti.
Rama shkruan se projekti “do t’i shtojë Vlorës një tjetër pjesë të bukur të mozaikut të Rilindjes së saj Urbane, ku do të mësyjë gjelbërimi, ku do të dalin në pah me të gjithë shkëlqimin e tyre objektet e historisë në atë shesh, ku një qilim i kuq prej guri do të lidhë monumentin e Pavarësisë me “tempullin” hijezues që do të shërbejë për panaire, ekspozita, shfaqje artistike e të tjera (po vetëm si terminal autobuzësh për foltorexhinjtë jo)”.
Ai ka shtuar se “fantazma e ish-hotelit do të kthehet në qendrën më të madhe social – kulturore të vendit për të gjitha moshat, pa harruar aksin e rikonceptuar që lidh edhe varrezat e dëshmorëve me monumentin e Pavarësisë përmes kolonatave të “tempullit” hijezues”.
Qytetarët e Vlorës dhe shoqëria civile dolën sërish në protestë ditën e enjte pranë “Sheshit të Flamurit” në Vlorë.
Kjo është protesta e dytë e zhvilluar në Vlorë pas asaj të ditës së diel, e cila po kështu u zhvillua në “Sheshin e Flamurit”.
Këto protesta kanë si qëllim kundërshtimin e projektit që do të zhvillohet në shesh, pasi sipas banorëve po tjetërsohet historia.
Në këtë projekt nga banorët kërkohet transparencë edhe për fondet publike.
Dhjetëra qytetarë kërkuan që të prishej një godinë disakatëshe e ndërtuar në sheshin historik.
Kërkesa e tyre për prishjen e objektit mirë që nuk u plotësua por tashmë aty po ndërtohet edhe një projekt i ri, i cili sipas qytetarëve është një stacion autobusi.
/abc24.al/