Partizani-Tirana luhet në orar Champions-i

0
Gjigandi

Të premten do të luhet derbi i fundit për këtë sezon, mes Partizanit dhe Tiranës. Një sfidë me mjaft rëndësi për të dyja skuadrat. Bardheblutë duan fitoren, që të vendosin duart te titulli, duke shkurorëzuar direkt të kuqtë, ndërsa këta të fundit kanë nevojë jetike për pikë, që të kapin zonën europiane. Pas humbjes së djeshme me Kuklësin, skuadra e drejtuar nga Egbo nuk ndihet aq komode, sepse kryeson me 6 pikë në renditje, kur kanë mbetur edhe 4 ndeshje (pra, 12 pikë).

Me këtë hap fals, Tirana iu ka dhënë zemër verilindorëve, që kanë nisur të bëjnë haptazi tifo për “demat e kuq”. Thënë ndryshe, Partizani ka deri diku në dorë fatet e titullit, mund të vendosë se kujt do t’ia dorëzoje kurorën. Me siguri, nuk parapëlqen që kjo “stafetë” të përfshijë 24 herë kampionët, ndaj do të bëjnë çmos, atë që kanë në dorë, për ta ndryshuar kursin e trofeut të lakmuar. Ajo që kanë në dorë të kuqtë është fitorja e derbit të katërt të këtij kampionati, i cili është vendosur se ku do të luhet.

Konkretisht, Partizani, si pritës, ka zgjedhur “Arena Kombëtare” për t’u ndeshur me “armiqtë” e mëdhenj, të premten, me start orën 20:45. Pra, edhe pse pa tifozë, derbi i madh i kryeqytetit rikthehet të luhet me drita, në orar Champions-i. Kujtojmë se ky derbi kishte më shumë se 5 vite, që nuk i nxirrte asnjëherë të mundur “demat”. Vetëm pas uljes në stol të Emanuel Egbo, ky trend ndryshoi dhe Tirana e prishi “magjinë”. Më konkretisht, në tri ballafaqimet e mëparshme të këtij kampionati, bardheblutë kanë fituar dy herë, me rezultatin 2-1 dhe 5-1, ndërsa një herë Partizani me rezultatin 2-1, në duelin e parë të 29 shtatorit 2019.

Kujtojmë se të kuqtë e siguruan titullin e sezonit të kaluar pikërisht në derbin e fundit me Tiranën, duke e mundur atë 2-1, më 12 maj 2019, në “Selman Stermasi”. Mos është rasti që bardheblutë të hakmerren, duke e marrë kurorën nga koka e “demave”? Të presim e të shohim, përballja e së premtes do të zbulojë shumë gjëra: do të zyrtarizojë bardheblutë si kampionë të rinj, ose do ta rihapë garën e titullit, duke i dhënë një assist Kukësit.

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu