Pas ndeshjes me Skënderbeun, u fol për një ndeshje të mirë të Partizanit në pjesën e parë, që në fakt ishte e vërtetë sepse të kuqtë dominuan në ato 45 minuta, në lojë, pasi në rezultat, 0-2 ishte tregues krejt i ndryshëm. Në fakt, Partizani krijoi shumë përpara portës, por të kuqve i mungon diçka në finalizim. Nëse ekipi do të kishte vazhduar me të njëjtin ritëm, ndoshta në pjesën e dytë do të kishim parë një tjetër ndeshje, dhe me një fund tjetër.
Por në pjesën e dytë, në humbje të dy golave, një skuadër që synon Europën dhe e ndërgjegjshme se humbja i kthen hijet e play out-it për Kategorinë e Parë, minimalisht bën përpjekje për ta ndryshuar këtë gjendje. Kjo nuk ndodhi, Partizani i bukur i 45 minutave të para dhe pse i humbur, në pjesën e dytë nuk ekzistoi. Skuadra pati një reagim të vakët, me raste përpara portës që ishin sporadike, duke u shfaqur si një ekip i fikur. Trajneri Sormani nuk e cilësoi më çështje fati mungesën e rezultatit me një lojë më të mirë se kundërshtari, por mungesë personaliteti.
Në fakt është e çuditshme sesi një skuadër kampione, mund të mos reagojë në 45 minuta. Dhe pas golit të Feratit që erdhi në të 85-ën, deri në fund të lojës Partizani kishte 9 minuta në dispozicion.
Dikush që ka parë njëherë të vetme futboll, e di që një ekip me personalitet, luan në afërsi të zonës kundërshtare, nxjerr lojtarët përpara, godet portën dhe përpiqet. Goditjet në kuadrat të Partizanit dhe rastet e krijuara pas këtij momenti ishin zero, ashtu si numri i pikëve që të kuqtë morën. Një skuadër kampione nuk mund të dorëzohet në një 0-2, me kontigjentin dhe investimet që janë bërë, në të kundërt 3 humbjet radhazi nuk përbëjnë më një dramë, dhe të kërkosh Europën dhe pse matematika e lejon bindshëm duket më pas një mision i pamundur.