Kampioni i boksit Floyd Mayweather është gati të rikthehet në ring dhe në një deklaratë për Forbes ka treguar se po përgatitet diçka për një përballje që pritet të zhvillohet në kryeqytetin e Japonisë, Tokyo.
Për vitin 2020 ishin parashikuar dy ndeshje spektakolare për Mayweather, njëra kundër një boksieri profesionist dhe tjetra kundër një luftëtari të arteve marciale të përziera, ndërsa Khabib Nurmagomedov ishte kandidati më i mundshëm.
Megjithatë fillimisht pandemia dhe më pas dy ngjarje të rënda familjare si vdekja e xhaxhait dhe nënës së fëmijëve të tij, tronditën Mayweather, që në muajin mars pati e deklaruar se nuk ka më dëshirë të ndeshet.
Por tani gjërat kanë ndryshuar dhe boksieri është gati të rikthehet në ring, ndërsa në deklaratën e dhënë për Forbes u shpreh gati jo vetëm për t’u rikthyer në ring, por pranoi se është i hapur për një tjetër përballje me Connor McGregor.
“Ne jemi duke punuar për diçka tani në Tokyo, por nuk e di nëse do të ndodhë më 2020-ën apo më 2021-shin. Jam i hapur për një tjetër ndeshje me Connor McGregor, por vetëm në boks dhe jo Arte Marciale të Përziera”, deklaroi Mayweather.