Ndërkohë që qeveria amerikane po planifikon që me shumë gjasa të ndalojë përdorimin e Tik Tok, Instagram-i po teston një platformë të re, të ngjashme me të.
Aplikacioni i ri quhet Instagram Reels sapo është lançuar në Indi dhe së fundmi është i aksesueshëm në Francë, Gjermani dhe Brazil.
Çfarë është Instagram Reels?
Njësoj si Tik Tok edhe Instagram Reels i lejon përdoruesit të krijojnë video 15 sekondëshe duke përdorur këngë të famshme. Në planet e Instagram-it është që Reels të jetë vendi i ardhshëm ku përdoruesit të marrin pjesë në sfida argëtuese dhe trende të reja.
Përfaqësues të platformës së famshme, thonë se 45% e videove në Instagram janë 15 sekonda ose më pak, prandaj Reels është një mundësi e mirë që njerëzit të publikojnë gjëra që s’duan t’i postojnë nëpër Story ose Feed. Opsionet e tij përfshijnë, filmim, filtra dhe muzikë. Ndonëse ky opsion ende nuk e ka shtrirë aksesin e tij në SHBA, mund të jetë një zëvendësim i mirë tani që po diskutohet ndalimi i TikTok.
Madje, përdoruesit nuk kanë as pse të shqetësohen për të drejtat e autorit në lidhje me muzikën që do të zgjedhin në Reels, pasi Instagram-i po bashkëpunon me emra të mëdhenj shtëpiash diskografike për t’ju bërë lehtësisht të aksesueshëm përdoruesëve.
Si ta përdorim?
Ky aplikacion mund të përdoret njësoj si Boomerang apo Instagram Live- opsioni do t’ju shfaqet sapo hapni ekranin e Instagram-it tuaj. Mjafton vetëm të mbani shtypur për pak derisa videoja 15 sekondëshe të jetë kryer. Më tej mund ta editoni me gjithë mundësitë që do t’ju shfaqen aty.