Ndërsa është duke u zhvilluar mbledhja e grupit parlamentar të PD-së, deputeti Flamur Noka është shprehur se bashkimi i demokratëve do të thotë rikthim në normalitetin para 9 shtatorit. Në 9 shtator 2021, një ditë para nisjes së sesionit të ri Parlamentar, kreu i PD-së asokohe, Lulzim Basha vendosi të pezullonte Sali Berishën nga Grupi Parlamentar pas shpalljes “non grata” nga SHBA.
Noka:
Bashkimi i demokratëve do të thotë rikthim në normalitetin para 9 shtatorit. Ish-kryetari që mori vendim individyual pa pyetur institucionet, mori edhe faturën individuale me ikjen. Bashkë me të iku çdo vendim që ka marrë. Bashkim domethënë tërheqje e ankimimit në Gjykatë pasi drejtimin e vendos vota. Pas datës 6 mars ne që dolëm shumicë kemi bërë thirrje vetëm për bashkim. Kryetari i Grupit me ndonjë tjetër ka vazhduar agjendë tjetër përçarëse.
Partia Demokratike ka dorëzuar këtë të hënë (5 prill), ankimimin në Gjykatën e Apelit të Tiranës, ku kërkon prishjen e vendimit të gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më 25 mars 2022, që njohu Statutin e miratuar në Kuvendin e 11 Dhjetorit, thirrur nga Sali Berisha.
Në ankimimin e PD, i përfaqësuar me autorizim nga Enkelejd Alibeaj, kërkon nga Apeli prishjen e vendimit të 25 marsit si dhe pushimin ose kthimin në hetim me trupë tjetër gjykuese.