Napoli-Juventus është finalja e Kupës së Italisë, që do të luhet sonte mes Juventusit dhe Napolit në “Olimpico”.
Dy skuadrat më rivalizuese të titullit në Itali, vitet e fundit, do të “përplasin brirët” për trofeun e parë sezonal në fqinjin tonë të përtej Adriatikut. Do të jetë edhe një duel shqiptarësh, veç të tjerash, sepse në llogore të ndryshme do të pozicionohen Giacomo Vrioni dhe Elseid Hysaj. I pari është pjesë e listës prej 23 lojtarësh, të grumbulluar nga trajneri Sarri për këtë finale, ndërsa shkodrani i Napolit është i njohur mirë në Serie A, sepse luan prej vitesh titullar aty.
Edhe nëse nuk luan fare, sikurse ndodhi ndaj Milanit në gjysmëfinale, Vrioni ka shanse ta ngrejë në duart e tij trofeun, sepse të tilla janë gjasat në favor të Juventusit.
Një ëndërr e madhe e përmbushur, që kur iu bashkua një klubi kaq të madh sa ai bardhezi, por që mund të shënojë një kulm sonte, nëse fiton Kupën e Italisë, qoftë edhe pa luajtur vetë. Një stimul i madh për të vijuar në këtë rrugë, edhe për të mirën e kombëtares sonë kuqezi, kontigjent i së cilës është. Sa për Hysajn, ai është tashmë një senator i futbollit italian, kapiten i kombëtares së Shqipërisë.