Tottenhami dhe West Bromi po tentojnë ta bindin Fenerbahçen që t’ua shesë njërit prej tyre
Klubet angleze janë futur në garë në mes vete për Vedat Muriqin.
Mediat turke raportojnë se futbollisti mund të luajë në Premierligë në sezonin e ardhshëm.
Tottenhami dhe West Bromwich Albioni duket se janë dy klubet më të interesuara për sulmuesin prizrenas.
Fenerbahçe po planifikon ta shesë 26 vjeçarin këtë verë dhe klubi turk do të mundohet të nxjerrë sa më shumë para nga shitja e tij.
E përditshmja turke “Sabah” raporton se klubi nga Stambolli i kërkon 20 milionë euro për Muriqin.
Tottenhami e sheh Muriqin si alternativë ideale të sulmuesit kryesor, Harry Kane.
Kurse, West Bromi do të rikthehet në Premierligë dhe trajneri Slaven Bilic dëshiron t’ia besojë Vedatit vijën e parë të sulmit.
Interesim për Muriqin ndërkohë kanë shfaqur edhe klubet tjera angleze si Manchester United, Newcastle United, Leicester City, Leeds United, Southampton, Brighton e Burnley.
Sulmuesin shtatlartë e duan edhe klubet italiane, Lazio dhe Napoli.
Ish-futbollisti i Rizesporit i ka realizuar 17 gola në 36 ndeshje me Fenerbahçen këtë sezon, ndërsa ka impresionuar edhe me Përfaqësuesen e Kosovës.
Muriqi ka kontratë me Fenerbahçen deri në vitin 2023.