“Kjo finale, për mua do të jetë më e rëndësishmja. Sepse duhet ta luaj akoma dhe ndoshta ta fitoj. E para, megjithatë, është ndeshja në Torino”. José Mourinho, fillimisht në “Sky” dhe më pas në konferencë, në ditën e medias të organizuar nga UEFA në “Trigoria”, foli për ndeshjen që të gjithë presin në Romë: finalen e “Conference League” kundër Feyenoord, më 25 maj në “Arena Kombëtare”, Tiranë:
“Ne do ta luajmë finalen pas një jave, por para asaj, të premten, Torino do të shërbejë për të siguruar Kupat e Evropës në sezonin e ardhshëm përmes kampionatit. Për mua, të luash një finale është gjithmonë e rëndësishme.
Do të arrijmë duke luajtur 15 ndeshje në “Conference League”, një angazhim që e kemi paguar në Serie A dhe për këtë duam të fitojmë. E kemi filluar në gusht, kemi udhëtuar shumë, kemi luajtur lojëra të vështira, sidomos jashtë shtëpisë.
Të luash në Evropë dhe më pas në Serie A, pothuajse gjithmonë kundër skuadrave që përgatiteshin brenda një jave, do të thotë ta paguash me pikë. Duke parë renditjen, shqyrtoj menjëherë ndeshjet e së enjtes dhe gabimet e arbitrave”.
Më pas, Mourinho nënvizon se si Roma arrin në këtë ndeshje me më pak pushim se holandezët: “Konkurrenca ishte e vështirë, por nëse e merr kompensimin duke fituar një trofe dhe duke bërë historinë, atëherë shumë mirë.
A është duke pushuar Feyenoord? Nuk është një avantazh i vogël, por një avantazh i madh. Duhet të përballemi me Torinon si fillim dhe është një ndeshje e rëndësishme, do të jetë e vështirë të pushojnë të gjithë.
Trabzonspor do të ketë një javë shtesë përgatitje atje në Portugali, por kur vjen një finale duhet t’i harrosh problemet e vogla. Nëse më pyesni sërish para datës 25, do të përgjigjem se Feyenoord nuk ka asnjë avantazh”.
E pranishme në konferencë ishte edhe gazetarja shqiptare Alba Kepi, e cila e pyeti trajnerin portugez nëse do të luajë Marash Kumbulla në finalen e Tiranës: “Me ose pa Kumbullën, shqiptarët duhet të jenë në krahun tonë. Nëse Roma fiton kupën, edhe një shqiptar fiton kupën. Kjo duhet të mjaftojë për t’i afruar shqiptarët me Romën.
Jam i emocionuar që finalja luhet në Tiranë, nuk kam qenë kurrë aty. Kam disa miq të rëndësishëm në Tiranë. E vetmja gjë negative nga “Arena Kombëtare” është kapaciteti i vogël, nëse do të luhej në “Bernabeu” do të ishte plot. Për Shqipërinë do të jetë shumë e rëndësishme. Do të jetë bukur kjo finale për ta, por edhe më bukur nëse Kumbulla e ngre kupën”.