Ministri i Sportit në Itali, Vincenzo Spadafora, ka reaguar pas deklaratës thumbuese të bërë nga drejtori sportive i Lacios, Igli Tare, ditën e djeshme. Shqiptarit nuk i ka pëlqyer fakti që ende nuk po merret një vendim për kampionatin italian, ndërkohë që as data 4 maj për të nisur përgatitjet nuk është konfirmuar. Reagimi i ministrit, ka qene tepër i ashpër, teksa është shprehur:
“Përkujdesja për botën e futbollit është një gjë shumë e rëndësishme për vendin tonë, por duhet ta bëjmë atë në mënyrën më të sigurt. Ju kujtohet ku Serie A u ndal? Sa ekipe shkuan në karantinë? Federata italiane paraqiti një protokoll dhe u mor në konsideratë. Jemi në fund të prillit dhe nuk e dimë se si do të jetë evoluimi i virusit dhe si do të respektohen rregullat. Për këtë arsye nuk mund ta dimë se kur sezoni do të rifillojë.
Do të zbulojmë gjithçka në një datë tjetër, kur të kemi informacion mbi zbatimin e protokollit. Ai ka një kosto të lartë dhe pyetja është: Si do t’i gjejë ato të ardhura Serie B? Nuk është e vërtetë që fjalët e mia dhe të presidentit Konte nuk përputhen.
Pretendimet për një komplot kundër Serie A janë qesharake dhe kushdo që i thotë është po aq qesharak. Ne po punojmë për të rifilluar stërvitjet më 18 maj, por kjo nuk do të thotë që kampionatet do të rinisin sërish”, është shprehur Vincenzo Spadafora.