Ky është charter-i i parë që vjen në vendi tonë që pas mbylljes së kufijve për shkak të nisjes së pandemisë së Covid 19 në muajin mars.
Nga bordi i tij zbritën 198 turistë të cilët do të qëndrojnë disa ditë apo disa javë në vendin tonë.
“Vendosa të vizitoj përsëri Shqipërinë. Kam qenë vjet këtu dhe ka plazhe fantastike. Këtë vit do të qëndroj tre javë në brigjet e Shqipërisë”, shprehet turistja.
“Në Bjellorusi nuk ka qenë shumë problem situata e Covid 19, prandaj unë vendosa të bëj fluturimin tim të parë pas kësaj situate. Dhe zgjodha Shqipërinë”, shprehet një tjetër turiste.
I pranishëm në pritjen e turistëve të parë për këtë sezon veror në vendin tonë, ishte edhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.
Ardhja e turistëve u përshëndet edhe nga Drejtori i Aeroportit të Rinasit, Dr. Constantin Von Alvensleben.
“Ne po i rindezim motorët e industrisë së turizmit sot. Në emër të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, ju uroj mirëseardhjen e ngrohtë atyre dhe shumë turistëve të tjerë që janë duke u përgatitur të vijnë dhe vizitojnë Shqipërinë.”
Ndërkaq, javës së ardhshme, nga aeroporti i Rinasit, pritet të nisin fluturimet e para drejt Athinës dhe Vjenës. /Andi Bora/
Burimi: top-channel.tv