Automobilistët e Kosovës këtë fundjavë do ta kalojnë në kryeqytet, saktësisht në shtegun e Grashticës, ku do të mbahet gara e dytë e disiplinës malore për kampionatin e sivjetmë.
Prishtina Racing Team në bashkëpunim me Federatën e Auto Sportit të Kosovës i kanë marrë të gjitha masat për organizim sa më të mirë të garës.
Garuesit duhet të paraqiten në garë të shtunën prej orës 09:00-10:30 për të vazhduar më pas me verifikimin e dokumentacionit dhe kontrollin teknik të veturave.
Vozitja e parë testuese është paraparë në orën 13:00, ndërsa e dyta 30 minuta pas përfundimit të së parës.
Të dielën, në orën 10:00 fillojnë procedurat e zakonshme, ndërsa gara zyrtarisht fillon në orën 12:00.
FASK në bashkëpunim edhe me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera relevante kërkon bashkëpunim dhe mirëkuptim nga qytetarët, të cilët kanë planifikuar të udhëtojnë në atë pjesë, pasi rruga do të jetë e mbyllur në intervale të caktuara kohore, por që do që sipas mundësive, pritjet e tyre do të jenë sa më të shkurtra.