Kampionët e Premier League konfirmuan në maj se një nga sulmuesit më të kërkuar në futbollin botëror do t’iu bashkohej atyre. Real Madrid, Barcelona dhe Bayern Munich ishin në mesin e një morie klubesh evropiane të interesuara për nënshkrimin e 21-vjeçarit norvegjez, por ai ka nënshkruar një marrëveshje 5-vjeçare në “Etihad Stadium”.
Bomberi i kombëtares norvegjeze ka firmosur sot kontratën me “qytetarët” dhe ka dhënë intervistën e tij të parë, tashmë si pjesë zyrtare e klubit anglez. Ai thotë se mezi pret të punojë me trajnerin Pep Guardiola.
HE’S HERE! 💙 pic.twitter.com/JuZEtzTWbv
– Manchester City (@ManCity) June 13, 2022
Haaland u zbulua nga klubi me një video, që rikrijon një foto të tij i ulur në divan, i veshur me fanellën e Manchester City (2008-2009) si djalë i ri, dhe përfundon me Haaland, i cili vesh ngjyrat e “Citizens” (2022-2023).
“Kjo është një ditë krenarie për mua dhe familjen time, – tha ai për “mancity.com”, pasi firmosi kontratën. – Gjithmonë e kam parë City dhe më ka pëlqyer sezonet e fundit. Nuk mund të mos e admironi stilin e tij të lojës, është emocionues. Manchester City krijon shumë raste, çka është perfekte për një lojtar si unë.
Ka kaq shumë lojtarë të klasit botëror në këtë skuadër, ndërsa Pep është një nga trajnerët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, kështu që besoj se jam në vendin e duhur për të përmbushur ambiciet e mia.
Dua të shënoj gola, të fitoj trofe dhe të përmirësohem si futbollist. Kam kam besim se mund t’i bëj këto këtu. Ky është një klub i mrekullueshëm për mua dhe mezi pres të filloj përgatitjet parasezonale”.
🎥 FIRST CITY INTERVIEW 🎥
Watch @ErlingHaaland‘s first City interview in full! 👇 pic.twitter.com/OAkf96Ltb5
– Manchester City (@ManCity) June 13, 2022
Drejtori i klubit Txiki Begiristain shtoi: “Ne e kemi monitoruar Erling për disa vite, kështu që jemi të kënaqur ta sjellim atë këtu te Manchester City. Është një talent i madh dhe ka qenë një nga sulmuesit më të mirë në Evropë gjatë sezoneve të fundit.
Rekordi i tij i golave është i jashtëzakonshëm, paraqitjet e tij te Borussia Dortmund dhe në Ligën e Kampionëve në veçanti kanë dëshmuar se mund të ketë sukses në nivelin më të lartë. Erling ka gjithçka që duam nga një sulmues, jemi të sigurt se ai do të shkëlqejë në këtë skuadër dhe në këtë system loje.
Rritja e tij ka qenë e jashtëzakonshme, por është ende vetëm 21 vjeç. Vitet e tij më të mira janë përpara. Ne kemi besim se mund të bëhet edhe më i mirë duke punuar me Pep. Ky është një nënshkrim shumë emocionues për klubin tonë dhe jam i sigurt se tifozët do të kënaqen duke e parë Erling në këtë ekip”.