Manchester United është në kërkim të një sulmuesi dhe duket se atë e ka gjetur në Superligën e Turqisë.
Sulmuesi norvegjez Alexander Sorloth është një sensacion këtë vit në elitën e futbollit turk, pasi ndodhet në pozitën e parë me 21 gola të shënuar.
24-vjeçari është i huazuar te Trabzonspor nga Crystal Palace, ku falë formës së tij të jashtëzakonshme klubi turk është afër ta fitojë titullin e kampionit.
Sorloth ka pasur një vit të jashtëzakonshëm duke ngjallur edhe interesimin e gjigantit anglez Manchester United. Mediat angleze kanë raportuar se Djajtë e Kuq janë duke përgatitur ofertë prej 30 milionë eurove për yllin e Kombëtares së Norvegjisë.
Crystal Palace dëshiron që ta mbajë në radhët e veta Sorlothin për edicionin e ardhshëm, por një gjë e tillë do të jetë shumë e vështirë duke parë interesimin e shumë klubeve për të.
Reprezentuesi norvegjez përveç 21 golave në ligë ka shënuar edhe tetë të tjerë në kupë dhe Ligën e Evropës, si dhe ka kontribuar me 10 asistime në 45 ndeshje zyrtare këtë edicion me fanellën e Trabzonspor.
Gjithsesi përveç Djajve të Kuq në garë për të mbetën edhe skuadra tjera si Roma, Sevilla, Atletico Madrid, Arsenal e Fiorentina.