Drejtori i Milanit, Paolo Maldini, ka konfirmuar se në futboll do të punojë vetëm me kuqezinjtë dhe me asnjë klub tjetër. Ai ka patur probleme me drejtuesit pas largimit të Boban, por duket se dhe nëse largohet nga “Djalli” e mbyll karrierën si drejtues.
“Do të punoj si drejtor vetëm për Milanin nuk do ta bëj askund tjetër. Si drejtor duhet të dish gjithçka. Duhet të jesh gjithmonë një shembull për futbollistët e tjerë”, – tha ai në një lidhje live në Instagram me Filippo Inzaghin.
Legjenda e Milanit ka treguar se nuk e ka menduar kurrë veten si trajner. “Nuk kam dashur kurrë të bëhesha trajner. Kam parë jetën e babait tim, flokët e bashkëlojtarëve të mi që kanë ndryshuar”, – tha ai.
Maldini mendon se Serie A duhet të rikthehet në fushë, pasi përndryshe do të ishte një fatkeqësi e madhe. “Kampionati italian duhet të rikthehet, pasi do të ishte një katastrofë në të gjitha senset. Franca bëri gabim që e ndali futbollin”, – tha ai ndër të tjera.