Krizë pas krize, puna në bare dhe restorante nuk është më si dikur. Ky duhet të ishte muaji kur fluksi i njerëzve në lokale duhet të ishte më i shtuar, por Enri Jahaj nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve thotë se nuk po ndodh kështu.
“Njerëzit nuk po vijnë më si më përpara dhe nuk po konusmojnë më si më përpara. Porsa kohë po marrin masa për miell dhe ushqime bazike, shërbimi jonë është i fundit që mendohet, të pish një kafe apo një gotë birrë. Ky muaj, marsi, duhet të ishte shumë kohë e mirë për baret dhe restorantet. Pasiguria e mbjellë gjithandej, ndikon edhe te konsumi, nuk ka më qarkullim të pritur. Ka një stepje sepse njerëzit janë të pasigurt. Edhe për sezonin turistik nuk dinë çfarë do të bëjnë, nëse do të pushojnë apo jo.”
As në ditët e festave, organizimet në bare e restorante nuk ishin si disa vite më parë.
“Ishte një çlirim i frenuar sepse ne kemi të paktën 3 vjet që jetojmë në një stres konstant. Stresi ka arritur në këto pika saqë njerëzit edhe kur duan të çlirohen, janë të stepur dhe kujtojnë që nesër ka prap luftë. Njerëzit dolën nga liqeni, iu gëzuan ditës me diell, por konsumi nuk ishte i pritur, kishte tek-tuk organizime, por jo atë ngrohjen që gjërat po ndryshojnë.”
Njerëzit pohojnë se po përpiqen të kursejnë dhe një rrugë është duke rralluar daljet në lokale.
“Po kursejmë, aq sa mundemi.”
“Nuk shkojmë si më përpara, duhet të kursejmë disi.”
Sot për sot, lokalet në vend nuk kanë reflektuar rritje të çmimit për kafenë, që është edhe ndër produktet më të konsumuara, ndonëse nga importi malli vjen më i shtrenjtë. Këto kosto të shtuara, biznesi po përpiqet t’i përballojë vetë, por kjo duket më e mundur në Tiranë, pasi në rrethe, një pjesë e lokaleve janë mbyllur.