Klubi i futbollit Feronikeli nga Drenasi në konkurrencën e fermave, tërhiqet nga garat.
“Me keqardhje e kemi pranuar vendimin e datës 14.07.2020, ku në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së, refuzohet ankesa jonë që ka të bëjë me rezultatin e ndeshjes KFF Mitrovica – KFF Feronikeli.
Klubi i Futbollit të Femrave Feronikeli, ka qenë i vetmi klub që i ka bërë ballë “monopolit” të krijuar nga KFF Mitrovica në Ligën e Femrave dhe gjatë gjithë kohës kemi bërë paraqitje me dinjitet dhe zhvillim tejet sportiv të lojës në Ligën e Femrave, duke u bërë shumë shpejt shembull edhe për skuadrat tjera dhe atraksion nëpër mediet e huaja dhe vendore.
Kemi arritur të grumbullojmë futbolliste tejet të talentuara në radhët tona, duke kontribuuar në zhvillimin e futbollit të femrave në Kosovë, që për fat të keq ende nuk është në nivelin e dëshirueshëm.
Jemi të vetëdijshëm që situata me pandeminë COVID-19 e ndryshoi rrjedhën e jetesës, e patjetër edhe rrjedhën e garave në Ligë. Edhe pse të pakënaqur, pranuar që të zhvillohet një ndeshje, dhe atë me vazhdime edhe pse vajzat nuk kanë qenë të përgatitura për një ndeshje 120 minutëshe (duke llogaritur që të gjitha Federatat e shteteve të zhvilluara kishin anuluar ndeshjet me vazhdime shkaku i kohës së shkurtër për përgatitje).
Kemi pranuar që ndeshja të zhvillohet në Mitrovicë, pavarësisht faktit që ka qenë një ndeshje finale, por duke e ditur që ndeshja në Drenas tashmë ishte zhvilluar, ne nuk ankuam asnjëherë për lokacionin e këtij takimi final. Ndoshta ky edhe ishte gabimi ynë më i madh, por i besuam zhvillimit fair play të futbollit dhe po ashtu i besuam organizimit të FFK-së. Gabim ky tjetër nga ana jonë!
Presidenti i klubit, Naser Ramaj, ka investuar rreth 300,000 euro, si donator i vetëm në KFF Feronikeli, për të kompletuar një ekip solid dhe konkurrues, me trajnerë të jashtëzakonshëm dhe duke i ofruar vajzave kushte optimale për stërvitje e për lojë, madje në përgatitjet për finale kemi rezervuar Stadiumin “Rexhep Rexhepi” enkas për stërvitjet e tyre.
Mirëpo, të gjitha këto shkuan dëm!
Humbëm takimin ndaj KFF Mitrovicës, por asnjëherë nuk dolëm si humbës nga ajo fushë, pasi që me krenari zhvilluam një ndeshje ku vajzat dhanë 110 % e tyre në fushën e lojës, e duke krijuar për herë të parë konkurrencë të vërtetë për KFF Mitrovicën dhe duke e rikthyer vëmendjen në Ligën e Femrave.
Por, humbësi më i madh i atij takimi ishte Federata e Futbollit të Kosovës.
Pasi që FFK-ja humbi mundësinë për rritjen e nivelit të Ligës së Femrave, e tani do të vazhdojnë nën “sundimin” e Mitrovicasve.
FFK humbi mundësinë që në Ligën e Femrave të ketë më shumë investime dhe të zhvillohet një konkurrencë e shëndoshë mes ekipeve.
FFK me vendimet e tyre, po lënë pa punë mbi 30 familje që varen direkt nga KFF Feronikeli.
KFF Feronikeli me anë të kësaj shkrese, njofton opinionin, Federatën e Futbollit të Kosovës, e po ashtu direkt edhe shtëpinë më të madhe të futbollit në evropë, UEFA, se Presidenti, Naser Ramaj, tërhiqet përfundimisht nga KFF Feronikeli dhe kësisoi edhe KFF Feronikeli largohet nga të gjitha garat e Federatës së Futbollitë të Kosovës.
KFF Feronikeli e ka të pamundur të zhvillojë ndeshje kundër Federatës së Futbollit të Kosovës dhe e ka të pamundur që e vetme të mbajë korrektësinë në Ligën e Femrave.
KFF Feronikeli ditë më parë ka dorëzuar ankesën edhe në UEFA dhe në përgjigjen e tyre thuhet se janë thellësisht të prekur se një rezultat i tillë dhe incidente të tilla e vendosen një ndeshje kaq të rëndësishme.
UEFA na inkurajoi që të Ankojmë në FFK, pasi që në klubet brenda ombrellës së FFK-së nuk duan të interferojnë ata (UEFA). Gjithashtu, nga shtëpia më e madhe e futbollit evropian na u kërkua që të mos ndalim investimet në futbollin e Femrave dhe të mos dekurajohemi nga incidente të këtilla.
Mirëpo, na vjen keq, por duhet ta zhgënjejmë UEFA-n e ta gëzojmë dikë tjetër me tërheqjen e KFF Feronikelit nga garat e Ligës së Femrave.
KFF Feronikeli do të jetë një humbje me peshë të rëndë për Ligën e Femrave, duke e ditur kualitetin e futbollistëve që ka në dispozicion. Mirëpo, largimi nga garat ishte një vendim i marrë pas shumë analizave dhe disa këndvështrimeve.
Ne nuk e kemi kapacitete të mjaftueshme të dalim kundër Federatës së Futbollit të Kosovës. I shteruam të gjitha mundësitë që kishim, duke mbetur pa asnjë opsion tjetër, vlerësuam se duhet të tërhiqemi sa më parë nga kjo Federatë e njëanshme.
Ne në FFK kemi ankuar në të gjitha organet, deri te Komiteti Ekzekutiv, por që të gjitha organet e kanë refuzuar ankesën tonë. Duke refuzuar ankesat tona, FFK po e cilëson si të drejtë rezultatin me golin fantazmë, sjelljen e tmerrshme nga zyrtarë të KFF Mitrovicës dhe tmerrin që ndodhi në Mitrovicë më 27 qershor.
Morali i krejt kësaj storie është që FFK të shpërblen me titullin Kampion i Kosovës nëse bën presion në gjyqtar, nëse fyen ekipin kundërshtar në mënyrën më të ultë dhe nëse sulmon fizikisht Kryesinë e ekipit kundërshtar.
Kurse, nëse je palë e dëmtuar, dëmtohesh edhe më shumë me vendime që refuzohen ankesat tuaja. Si ka mundësi që të vazhdojmë të jemi pjesë e kësaj gare?
Ne si klub kemi qenë gjithnjë korrekt dhe mikpritës për secilin ekip, nuk e kemi në natyrën e klubit të sulmojmë, prandaj nuk mund të jemi pjesë e kësaj Lige me një Federatë që shpërblen me dalje në evropë ata që sulmojnë.
Ne i urojmë KFF Mitrovicës trofeun e titullit kampion për sezonin 2020-2021, pasi që jemi të bindur që do ta fitojnë edhe vitin e ardhshëm. Po ashtu, ia urojmë edhe FFK-së, titullin e fituar të KFF Mitrovicës. I urojmë bashkëpunim të ndërsjellë dhe të vazhdueshëm edhe vitet në vijim.
KFF Feronikeli me keqardhje njofton vajzat që nuk do të vazhdohen kontratat e tyre dhe falë një Federate që nuk mbron klubet, nuk mbron fair play dhe fundi fundit nuk mbron qeniet njerëzore të sulmuara, vajzat tona sot mbesin pa punë.
KFF Feronikeli i falënderon përzemërsisht të gjitha futbollistet që ishin pjesë e klubit, i uron shëndet atyre dhe i jemi përjetësisht mirënjohës për besnikërinë dhe momentet e mira të ofruara që do të mbeten në kujtesën e opinionit sportdashës.
Ndërsa FFK-së, duhet të ju vijë turp për secilin lot të derdhur nga futbollistet e KFF Feronikelit. Nëse kanë një pikë turpi!
Për tërheqjen e KFF Feronikelit nga garat, është njoftuar edhe UEFA, konkretisht, menaxhmenti për zhvillimin e futbollit të femrave në Evropë”, thuhet në komunkatën e Feronikelit.