Legjenda e futbollit irakian, Ahmed Radhi, ka ndërruar jetë të dielën në moshën 57 vjeçare, pas ndërlikimeve të shkaktuara nga koronavirusi, ka njoftuar ministri irakian i Shëndetësisë.
Ahmed Radhi ishte shtruar në spital në Bagdad një javë më parë, duke u testuar pozitiv për COVID-19. Ai u largua të enjten kur shëndeti i tij u përmirësua.
Por, ai përmirësim ishte jetëshkurtër dhe ai u kthye në spital në të njëjtën ditë.
Radhi është një nga golashënuesit më të mirë të Kombëtares së Irakut, teksa kishte shënuar golin e vetëm për Irakun në Kupën e Botës së vitit 1986 kundër Belgjikës (1:2).
Ai kishte ikur nga Iraku për në Jordani në vitin 2006, por ishte kthyer pas një viti për t’u angazhuar në politikë.
Iraku ka regjistruar zyrtarisht 30 mijë raste të infeksionit, teksa kanë ndërruar jetë mbi një mijë persona.