Giorgio Chiellini ka shpallur lamtumirën e tij nga Juventusi. Në fund të ndeshjes së humbur ndaj Interit, e vlefshme për finalen e Kupës së Italisë, mbrojtësi bardhezi, flamuri i “Zonjës së Vjetër” prej kohësh, konfirmoi se në fund të sezonit nuk do të jetë më pjesë e skuadrës së tij të përjetshme.
Duke folur për mikrofonat e ‘Mediaset’, menjëherë pas nokautit në finalen e Kupës së Italisë (4-2), Chiellini konfirmoi se dy ndeshjet e fundit të sezonit 2021-2022 do të jenë gjithashtu të fundit të epokës së tij të gjatë me Juventusin. Një rrugëtim që e ka çuar atë të jetë ndër lojtarët më të rëndësishëm në historinë e klubit torinez:
“Më vjen keq që largohem me një sezon pa fitore pas dhjetë vitesh, por duhet pranuar. Duhet të ketë diçka ndryshe për vitet e ardhshme, Interi ka treguar se është më i fortë në të katër ndeshjet direkte. Të hënën do të festoj dhe do të përshëndes tifozët e Juventusit në stadium, po e hap krahun për shumë të rinj.
Atë që munda të bëja, e bëra, tani iu mbetet djemve të vazhdojnë. Do të heq dorë, kam vite që them të mos përfundoj duke vuajtur në fushë. Me gëzim dhe qetësi po largohem nga ky ekip. Së shpejti do të jem tifozi më i madh i Juventusit.
Ka cikle dhe është pjesë e lojës, kam jetuar dy vite në vende jo të pëlqyeshme për Juventusin. Cikli i mëparshëm ka përfunduar dhe duhet të lindë i riu, është pjesë e jetës, duhet ta pranosh”.
Me ardhjen te Juventusi në vitin 2005, Chiellini do ta mbyllë pas 17 vitesh aventurën bardhezi. Njëra prej të cilave në Serie B, para rikthimit të tij të menjëhershëm në elitën e futbollit italian. 559 ndeshje zyrtare të luajtura me skuadrën piemonteze, me të cilën fitoi 9 tituj kampioni radhazi të Serie A.
Pasi ka kaluar Scirean në klasifikimin e përgjithshëm të paraqitjeve të Juventusit, ai do ta mbyllë si i treti në renditje, pas miqve të tij të pathyeshëm Buffon (i dyti, me 685 ndeshje) dhe Del Piero (rekordmeni, me 705 ndeshje). Vetëm portieri kampion bote më 2006 ka fituar më shumë tituj (dhjetë) në historinë e Serie A.
Megjithatë, Chiellini nuk ka konfirmuar nëse lamtumira e tij me Juventusin do të çojë gjithashtu në një ‘pensionim’ nga futbolli i luajtur. Madje, në konferencën për shtyp, ish-livornezi e la derën hapur: “Ende nuk e di nëse është një lamtumirë futbolli apo lamtumirë për Juventusin, do ta vlerësoj me familjen time”.
Kampioni i Europës në vitin 2021 me fanellën e Italisë, i lindur më 198, u rrit në Livorno dhe më pas luajti një vit me Fiorentinën. Me Juventusin kaloi “Calciopoli” dhe rilindjen me 9 tituj radhazi. Tani do të ketë një ekip të Juventusit para dhe pas Chiellinit.