Sikur të mos mjaftonte lufta e ndezur në fushën e lojës, një tjetër betejë të dytë për titullin kampion në Serinë A e ka ndezur edhe Marash Kumbulla, duke qenë se Juventusi, Interi dhe Lacio, tri skuadrat pretendente për fronin italian, kanë nisur të përplasin brirët dhe të provojnë të nxitojnë për të bërë të tyrin qendërmbrojtësin shqiptar.
Dhe me të drejtë, sepse të shohësh 20- vjeçarin e Veronës në fushë, ndonëse në vitin e tij të parë në elitën italiane, nuk dallohet aspak se po flasim për një debutues, por për një të ri që luan me eksperiencën dhe sigurinë e një veterani, aq sa kërkesat në drejtim të tij kanë bërë që çmimi i kartonit të Kumbullës të ngrihet në stratosferë. Ndonëse klubi i Veronës ka qenë shumë i qartë që për Marashin nuk pranon të bisedojë pa 30 milionë euro në tavolinë, gjithsesi, duke analizuar vlerësimet e uebsajtit “transfermarkt”, edhe këtu është qendërmbrojtësi shqiptar që ka vlerën më të lartë, jo vetëm mes shqiptarëve që luajnë në Serinë A, por edhe të të gjithë lojtarëve të tjerë të Kombëtares së Edi Rejës.
Ajo që bie në sy teksa analizon vlerat e uebsajtit të specializuar në vlerat e lojtarëve, Marash Kumbulla, i cili vlerësohet 22.5 milionë euro, në pak muaj ka lënë në hije edhe portierin titullar të Lacios, Thomas Strakoshën (20 milionë vlera aktuale), i cili gjithashtu ëndërrohet nga shumë klube të mëdha, ku spikasin ato angleze.
Në të njëjtën kohë, 20-vjeçari shkëputet ndjeshëm edhe nga kapiteni i Kombëtares, Elseid Hysaj, i cili pavarësisht klauzolës 50-milionëshe me Napolin, tashmë vlerësohet 13 milionë euro nga “transfermarkt”, apo gjithashtu edhe ndaj homologut tek Atalanta, qendërmbrojtësit tjetër të përfaqësueses, Berat Gjimshitit, që vlen 12 milionë euro.
Nëse pastaj në këtë studim fusim edhe dy shqiptarët e tjerë, si Etrit Berisha dhe Kastriot Dermaku, këtu diferenca e vlerës së portierit dhe qendërmbrojtësit tjetër kuqezi është vite dritë larg, ndaj duke parë edhe interesimin e madh që ka për Marash Kumbullën, mund të themi pa frikë se talenti i Veronës është pa dyshim “bosi” i shqiptarëve të Serisë A.