Kryeministri Scott Morrison kërkoi ndjesë sot në një konferencë shtypi pasi kishte thënë më herët se “nuk ka pasur skllavëri në Australi” teksa mbrohej nga kritikët që e akuzonin se mohonte historinë e padrejtësisë racore dhe punës së detyruar në vendin e tij.
“Komentet e mia nuk kishin si qëllim të krijonin ofendim dhe nëse kjo ka ndodhur unë kërkoj ndjesë”, tha Morrison, duke pranuar më tej se në vend kanë ndodhur “të gjitha llojet e praktikave të tmerrshme.”
“Unë vetëm desha të theksoj se ne Australi, po, ne kemi pasur çështjet tona në histori, i kemi pranuar dhe duhet të punojmë për adresimin e tyre,” tha ai më tej.
Morrison nisi të merrte kritikat kur foli në mbrojtje të eksploruesit britanik James Cook, i cili hapi koloninë e parë penale në Australia, që më vonë do të kthehej në qytetin e Sydney. Morrison përfaqëson aktualisht zonën elektorale të quajtur ‘Cook’ në parlamentin e vendit.
Australia nuk ka përdorur aq sa SHBA punën e skllevërve por vendasit aborigjenë u skllavëruan atje në shekullin e 19-të dhe në disa zona praktika mizore ka zgjatur deri pas Luftës së Dytë Botërore.
Qytetet në të gjithë botën e civilizuar po rivlerësojnë figurat dhe monumentet e tyre historike pas protestave për vrasjen e George Floyd në duart e policisë së Minneapolis, SHBA.
Burimi: top-channel.tv