Kostot e zgjedhjeve rriten ndërsa SHBA përgatiten të votojnë mes pandemisë

0
Gjigandi

Kërkesa për votimet me postë po rritet. Punonjësit e zgjedhjeve kanë nevojë për trajnim. Dhe qendrat e votimit mund të duhet të jenë të pajisura me mburoja mbrojtëse gjatë pandemisë COVID-19. Ndërsa zyrtarët përgatiten për zgjedhjet e 3 nëntorit, një gjë është e qartë: ato vijnë me një çmim të lartë.

“Zyrtarët e zgjedhjeve nuk kanë pothuajse fare burime të mjaftueshme për të bërë përgatitjet dhe ndryshimet që duhen për të zhvilluar zgjedhje në kohë pandemie,” thotë Wendy Weiser, drejtuesja e programit për demokraci në Qendrën Brennan. “Ne po e shohim këtë në të gjithë vendin”.
Pandemia ka bërë që zyrtarët shtetërorë dhe lokalë të përpiqen të përgatiten për zgjedhje si pak të tjera, një detyrë e jashtëzakonshme gjatë një gare presidenciale, pasi rastet e infeksioneve po rriten në pjesën më të madhe të vendit.
Shqetësimet e lidhura me COVID-19 po sjellin kërkesa për hapat që duhen marrë për të siguruar që zgjedhjet, vetëm katër muaj larg, janë të sigurta. Por ndihma federale e premtuar prej kohësh për të ndihmuar shtetet e varfëruara nga fondet ka ngecur në Kongres.
Fondet do të ndihmojnë për shndërrimin e procesit të vjetër të votimit në një sistem të gatshëm për kushtet e pandemisë. Thelbësore për këtë janë kostot për shtypjen e fletë-votimeve dhe shërbimin postar. Ka gjithashtu shpenzime për të siguruar që votimi në person është i sigurt me pajisje personale mbrojtëse, për punonjësit në qendrat e votimit, të cilët janë zakonisht të moshuar dhe me më shumë rrezik të sëmuren nga virusi, dhe trajnimin e punonjësve të rinj. Makineritë e kushtueshme janë të nevojshme për të numëruar shpejt votën.
Çështja komplikohet më tej nga mospëlqimi që ka Presidenti Donald Trump ndaj votimit me postë. Ai e ka cilësuar procesin si të rremë, edhe pse nuk ka asnjë dëshmi të manipulimit ndërsa ekipi i tij i rizgjedhjes po përshtatet me realitetin e ri të votimit të përhapur me postë. “Ndërsa rastet e koronavirusit në këtë vend rriten, është thelbësore që të gjithë votuesit të jenë në gjendje të hedhin votat e tyre nga shtëpia, të hedhin votat e tyre me postë”, tha senatorja demokrate e Minesotës Amy Klobuchar.
Një projekt-ligj i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve në maj cakton 3.6 miliardë dollarë për të ndihmuar shtetet në përgatitjet për zgjedhje, por Senati nuk do ta shqyrtojë masën deri në fund të korrikut. Republikanët kundërshtuan një fond prej 400 milionë dollarësh të ndihmës zgjedhore këtë mars, përpara se të binin dakord për të.
Por republikanët kryesorë të Senatit duket se ka gjasa të mbështesin më shumë fonde për zgjedhjet, megjithë kundërshtimin e presidentit Trump. Roy Blunt, është senator republikan nga Mizuri. “Ne mund të vazhdojmë të punojmë për zgjedhje që prodhojnë një rezultat të besueshëm për njerëzit dhe të hartuar në atë mënyrë që të gjithë ata që duan të votojnë, të jenë në gjendje të votojnë.”
Pandemia shpërtheu këtë pranverë në mes të zgjedhjeve paraprake të shteteve, duke detyruar shumë zyrtarë të shtyjnë zgjedhjet me ditë, javë dhe madje muaj. Ata u përballën me mos paraqitjen e punonjësve në qendrat e votimit, ndryshime në vendet e votimit dhe një rritje të votimeve në mungesë.
Grupet e të drejtave të votimit janë veçanërisht të shqetësuara me konsolidimin e qendrave të votimit që kontribuan për rradhë të gjata në Miluoki, Atlanta dhe Las Vegas. Ata kanë frikë se kjo mund të përsëritet në nëntor.
Ndërsa negociatat për projekt-ligjin tjetër të ndihmës për COVID-19 fillojnë në Kongres, shifra përfundimtare për zgjedhjet sigurisht që do të përfundojë shumë më pak se 3.6 miliardë dollarë të parashikuar nga Dhoma e Përfaqësuesve. Kjo shifër pasoi rekomandimet e Qendrës Brennan për t’u përgatitur për një fluks të votimeve në mungesë duke siguruar më shumë mundësi të votimit të hershëm dhe mbrojtjen e qendrave të votimit në zona./VOA

Burimi: top-channel.tv

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu