Komisioni Europian për Shimshek: Shqipëria të zbatojë konventat ndërkombëtare

0
Gjigandi

Refuzimi i së drejtës për apelim mbi kërkesën për azil të Selami Shimshek po sjell reagime shtesë nga zyrtarë dhe institucione ndërkombëtare. Komisioni Europian i ka bërë thirrje Shqipërisë që të garantojë proces të drejtë gjyqësor dhe të përmbushë detyrimet që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare.

Lidhur me mohimin e procesit të apelimit për azil në Shqipëri ndaj turkut Selami Shimshek, ka reaguar edhe Komisioni Europian.

E pyetur nga Euronews Albania mbi ngjarjen, zëdhënësja e Komisionit, Ana Pisonero, vuri theksin te detyrimet ndërkombëtare të vendit.

“Ne presim vendosmërisht që Shqipëria t’i përmbahet parimeve të një procesi të drejtë gjyqësor dhe detyrimeve të saj ndërkombëtare, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me konventën e Gjenevës për refugjatët, të vitit 1951.”

RonaTyra

Konventa mbi Statusin e Refugjatëve është një traktat i OKB-së që përcakton se kush konsiderohet refugjat, si dhe qartëson të drejtat e azilkërkuesve, specifikisht edhe parimin e moskthimit kur atyre u rrezikohet jeta apo liria në territoret nga vijnë.

Selami Shimshek kishte bërë kërkesë për azil në Shqipëri duke argumentuar se i rrezikohet jeta apo liria nëse e ekstradojnë në Turqi, ku të dyshuarit si gylenistë burgosen nga strukturat e Erdogan.

Këtë muaj, Komisioni për Azilin dhe Refugjatët i refuzoi Shimshek të drejtën për apel, duke e mbështetur vendimin mbi argumente teknike. Komisioni la në fuqi vendimin e Drejtorisë së Azilit dhe Shtetësisë pranë Ministrisë së Brendshme, e cila vendosi që ai të dëbohet nga Shqipëria.

Ky rast është i ngjashëm me atë dëbimit të turkut tjetër Harun Çelik, i cili u ekstradua nga Shqipëria pa iu dhënë e drejta e apelimit. Më pas raportua se Çelik u burgos në Turqi, i akuzuar si mbështetës i klerikut Fetullah Gylen.

Gjithashtu, anëtarja e Parlamentit Europian nga grupimi Rinovimi Europian, Ramona Strugariu, reagoi një ditë më parë mbi rastin e Shimshek, duke i bërë thirrje Kryeministrin Edi Rama të ndalojë shkeljen e drejtave të njeriut, e cila nëse kthehet në praktikë, do të thotë se Shqipëria nuk është gati për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, dhe se për të tilla gjeste vendi duhet ndëshkuar dhe jo të vlerësohet pozitivisht.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu