Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka shënuar sot 5 qershorin – Ditën Botërore të Sportit dhe Mjedisit, në të cilën morën pjesë edhe ministrja për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi dhe kryetarë e drejtorë të sportit të komunave të Kosovës.
Drejtuesit e KOK-ut, presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, bashkarisht me ministren për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshin, rektorin e Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema dhe komunat mbollën nga një pemë.
Fillimisht, ministrja Dumoshi bashkë me drejtuesit e KOK-ut, si dhe rektorin e Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, mbollën një pemë pranë objektit të Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport.
Presidenti Hasani duke folur për historikun e shënimit të kësaj Dite, dhe lidhjen që ka Dita Botërore e Mjedisit me Sportin, bëri thirrje që edhe sporti dhe sportistët të ndikojnë në ruajtjen e ambientit.
“Me mbjelljen e kësaj peme duam ta dërgojmë mesazhin në kokën e secilit qytetarë të Prishtinës, që të mbillet fara e përkujdesjes së mbrojtjes së mjedisit dhe ambientit”, tha ndër të tjera presidenti Hasani.
Ministrja Dumoshi theksoi se nuk do të kemi sport të shëndetshëm nëse nuk kemi ambient të pastër, derisa u bëri thirrje të gjithë sportistëve të komunave, që ta japin mesazhin më të mirë duke mbjell nga një pemë, në mënyrë që ta bëjmë Kosovën sa më të bukur.
Rektori Dema gjithashtu ftoi gjithë qytetarët e Kosovës, që ta mbjellin nga një dru dhe ta vënë mbishkrimin e tyre, në mënyrë që së bashku ta bëjmë Prishtinën të bukur.
Më pas, KOK dhe kryetarët dhe drejtorët e dhjetëra komunave të pranishme, iu drejtuan kampusit të Universitetit të Prishtinës, ku mbollën nga një pemë, e cila do të mbajë logon dhe mbishkrimin e tyre.
Paraprakisht, KOK nderoi me një minutë heshtje presidentin e Komitetit Olimpik të Evropës, Janez Kocijançiq, i cili vdiq tri ditë më parë. Në nderim të tij, u mboll një pemë, e cila do të mbajë emrin Janez Kocijançiq.
Komunat mbollën pemët e tyre, me ç’rast në emër të tyre foli kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuqi, i cili theksoi se komunat nga sot marrin edhe më shumë përgjegjësi për të mbrojtur mjedisin, derisa falënderoi KOK-un për iniciativën marrë.
Në emër Komisionit “Sporti dhe Mjedisi”, kryetarja Besire Domaniku, falënderoi të gjithë për bashkëpunimin, duke i ftuar komunat dhe të tjerët që të bashkohen edhe në projektet tjera.