Brenda dy sezoneve, Kamza ka pësuar një katastrofë sportive, nga një pretendente për Kupat e Europës, kur militonte në Superiore, tashmë është e dërrmuar nga të gjitha aspektet. Fillimisht u përjashtua nga Superiorja dhe zbriti dy kategori më poshtë. Këtë sezon, për mosparaqitje në dy ndeshje radhazi në Kategorinë e dytë, Kamza u përjashtua nga të gjitha aktivitetet.
Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, do të mbetet edhe pa stadium. Gazeta mëson se Bashkia e Kamzës ka vendosur ta shembë stadiumin për të ndërtuar një parking të nëndheshëm e sipër tij një qendër rekreative për qytetarët. Kjo do të ishte “vula” e shuarjes së futbollit në Kamzë. Gazeta ka shkuar në bashki për të marrë më shumë informacion nga kryebashkiaku Rakip Suli, por, sipas zyrës së informacionit, ai nuk ka asnjë pritje për gati një muaj.
Gjithashtu, gazeta është përpjekur të kontaktojë edhe me personat që përgjigjen për sportin në këtë institucion, por askush nuk ishte në zyrë. Bashkia e Kamzës ka disa ditë që ka nisur zbatimin e vendimeve pas tërmetit të 26 nëntorit për të prishur disa godina. Është shembur shkolla 9-vjeçare “Hillary Klinton” dhe dje u shemb një kopsht pranë shkollës 9-vjeçare “Niko Hoxha” në Valias. Ditët në vijim pritet të ndodhë e njëjta gjë edhe me stadiumin e Kamzës, ndërkohë që ka zëra për ndërtimin e një stadiumi të ri në Valias.
Fusha e futbollit në të ka funksionuar që nga viti 1955, madje ka pasur një infrastrukturë të përsosur. Pas vitit 1993, kur nisi të zbatohej ligji 8501, kjo fushë është spostuar në krah të djathtë të shkollës “Niko Hoxha”. Një fushë e lënë në harresë, ndërkohë që shumë mirë aty mund të stërvitej Kamza dhe ndeshjet t’i luante në stadium.
Stadiumi “Kamza” është ndërtuar mbi ish-fushën e vjetër të futbollit gjatë sezonit 2001-2002. U shtuan dy dhomat e zhveshjes së futbollistëve dhe 5 shkallë në të dy krahët e këtyre dhomave. Më pas, në sezonin 2007-2008, u ndërtua një tribunë qendrore dhe u rregullua fusha. Sezonin 2010-2011 u shtrua tapeti i ri me ndihmën e FSHF-së.
Një sezon më pas Kamza mori pjesë për herë të parë në Superiore dhe në stadium u bënë disa ndërhyrje, duke u licencuar edhe për ndeshjet e nivelit e u kthye në një stadium që kaloi licencimin për të zhvilluar ndeshjet elitare. Në fillim të sezonit 2016-’17 u vendosën edhe ulëset plastike për 1872 spektatorë dhe tribunat qendrore u shtuan me 252 vende. Por tani duket se gjithçka do të jetë një kujtim, sepse ky stadium do të zhduket, duke shënuar edhe zhdukjen e futbollit njëkohësisht në Kamzë. Në atë fushë Dajti, sot Kamza, ka zhvilluar në total 413 ndeshje, 330 në kampionat dhe 83 në Kupë. Më parë, disa herë janë akorduar fonde shtesë për riparimin dhe rikonstruksionin e stadiumit, ndërsa tani shembet gjithçka.