Në kushtet e distancimit social, si rezultat i pandemisë COVID19, është mbajtur gjatë paradites së sotme përmes platformës on-line, mbledhja e 63-të e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Mbledhja është organizuar si gjithnjë në praninë e të gjithë anëtarëve të Këshillit dhe përfaqësuesëve nga Ministria e Drejtësisë, EURALIUS, OPDAT si dhe vëzhguesë tё tjerë tё akredituar.
Pasi ka verifikuar plotësimin e të gjitha kushteve dhe kritereve të parashikuar në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, në referencë të vendimit të tij, nr.137 datë 16.07.2019 “Për miratimin e listës me renditjen e kandidatëve për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme”, si dhe të Vendimit të KPA-së , datë 10 korrik 2020, për lënien në fuqi të vendimit nr.162 datë 19.06.2019 të KPK-së “Për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit znj. Manjola Kajana”,
Këshilli ka vendosur unanimisht emërimin si prokuror në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe krimit të Organizuar (SPAK) znj. Manjola Kajana për një mandat 9 (nëntë) vjeçar pa të drejtë riemërimi.
Me emërimin e saj, SPAK ka aktualisht në strukturën e tij 13 prokurorë nga lista e 15 prokurorëve të zgjedhur nga Këshillin i Lartë i Prokurorisë. Me këtë rast, kryetari Gent Ibrahimi i bëri edhe një herë thirrje organeve të Vettingut për të përshpejtuar afatet për verifikimin e figurës, pasurisë dhe aftësive profesionale për dy prokurorët e mbetur, Anton Martini dhe Elizabeta Imeraj, pjesë e listës së sipërpërmendur.
Ditën e nesërme, e martë 14 korrik 2020, pritet të zhvillohet edhe ceremonia e betimit përpara Presidentit të Republikës së Shqipërisë, zotit Ilir Meta.