Vijon operacioni policor i koduar “Informaliteti”, për goditjen e ushtrimit të veprimtarive financiare pa licencë.
Një 65-vjeçar në Korçë, i cili ushtronte aktivitetin e këmbimit valutor pa licencën përkatëse, është proceduar penalisht nga policia.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Korçë, në vijim të operacionit të koduar “Informaliteti”, për goditjen e ushtrimit të aktiviteteve financiare informale, proceduan penalisht në gjendje të lirë për shtetasin S. M., 65 vjeç, banues në Korçë
” njoftoi policia.
Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 7 të Korçës duke ushtruar veprimtarinë e këmbimit valutor, pa licencë.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit S. M. iu gjetën shuma të konsiderueshme parash, të prerjeve të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.