Napoli po përballet me konkurrencë të fortë, pasi yllin e Kosovës e duan klubet e mëdha evropiane, por napolitanët nuk dorëzohen assesi për futbollistin vushtrrias
Klubet evropiane vazhdojnë ta ndjekin me kujdes situatën e Milot Rashicës.
Mediat italiane shkruajnë se klubi napolitan e ka në shënjestër futbollistin e Werder Bremenit.
“Radio Marte” raporton se 23 vjeçari mund ta vazhdojë karrierën në Itali dhe e ardhmja e tij mund të jetë e lidhur me Napolin.
Në Angli, ish-futbollistin e Vushtrrisë e duan Liverpooli, Aston Villa e Wolverhamptoni.
Kurse, në Gjermani atë e pëlqejnë Leipzigu dhe Borussia Dortmundi.
Rashica ka kontratë me Werderin deri në vitin 2022.
Klauzola e shkëputjes së kontratës së tij është 38 milionë euro.
Por, nëse Bremeni bie nga liga, kjo shumë do të bie dukshëm.
Aktualisht, futbollisti ofanziv është i lënduar, por Werderi shpreson që ta ketë atë në dispozicion në ndeshjen e fundjavës me Paderbornin.
Rashica i ka realizuar 10 gola këtë sezon deri tash, por fatkeqësisht nuk e ka gjetur golin në Bundesligë në vitin 2020.