Trajneri i njohur, Arbnor Morina, dhe ish-futbollisti i njohur, Xhevdet LLumnica, e kanë lavdëruar trajnerin e Ballkanit, Ismet Munishin, duke thënë se ai e bën më interesant Superligën e Kosovës.
Ismet Munishi dhe skuadra e tij, Ballkani, kanë qenë protagonistë të këtij sezoni të Superligës dhe Kupës së Kosovës – duke arritur ta mbajnë kreun e tabelës për pjesën më të madhe të sezonit, përkundër që tani radhiten në pozitën e tretë, dhe duke arritur në finale të Kupës.
Sukseset e Ballkanit këtë sezon i kanë përcjellë deklaratat e shumta të trajnerit Munishi, i cili së fundi tha se skuadra e tij po bën luftë të vërtetë, përderisa kundërshtarët e tij po luajnë ndeshje miqësore.
Deklaratat e tilla të Munishit – i cili e mori Ballkanin verën e kaluar si një skuadër që po luftonte për mbijetesë dhe e ndihmoi të bëhet kandidat për titull – janë të mirëpritura nga trajneri i njohur dhe drejtori sportiv i Flamurtarit, Arbnor Morina.