Ish-kandidati për kreun e PS në Durrës Ardit Kërtusha, i cili u plagos me armë zjarri në lokalin e Noizyt thotë se ngjarja nuk është për motive banale, por një atentat i mirëfilltë që do të kryej nga vrasës me pagesë.
Sipas tij, personi ishte me kapuç dhe me dy pistoleta duke qëlluar katër herë, por për fat të mirë pistoleta u bllokua.
“Nga jashtë lokalit ka ardhur një djalë i ri, i cili mbante në fytyrë një maskë anti-covid, me syze të errëta dhe kapele në kokë. Sapo është afruar tek tavolina ku isha, atentatori ka nxjerrë një pistoletë dhe qëlloi në drejtimin tim. Por, pistoleta u bllokua pasi ka qëlluar vetëm 1 herë, ndërsa atentatori futi dorën në një çantë që mbante me vete, nga ku nxori një pistoletë të dytë. Unë u largova me shpejtësi sapo pash që pistoleta u bllokua. Ai më ndoqi dhe qëlloi edhe dy herë të tjera. Një prej plumbave më kapi në këmbë. Është e paqartë se përse Policia e Durrësit nxitoi të shpërndante një mjegullnajë për dinamikën e ngjarjes, duke e konsideruar si një “konflikt të çastit”,
-deklaroi Kërtusha për Abc.
Ardit Kërtusha është një personazh i njohur i jetës politike në Durrës. Ai ka qenë kryetar i Forumit Euro-socialist Shqiptar (FRESH) për disa vite, ndërkohë që pak kohë më parë kandidoi për kryetar të Partisë Socialiste në Durrës.
Kërtusha thotë se edhe më herët ka marrë kërcënime për shkak të denoncimeve dhe ka dorëzuar kallëzime penale në Prokurorinë e Durrësit.