Ish-gazetari i sportit, Arbër Grabovci, ka nisur të ushtrojë detyrën e zëvendësministrit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Përmes një komunikate, MKRS-ja lajmëroi se ministrja Dumoshi ka pritur sot në takim dy zëvendësministrat, Arber Grabovci dhe Halil Matoshi, të cilët kanë pranuar detyrën e re.
Ministrja Dumoshi me zëvendësministrat Grabovci e Matoshi diskutoi për detyrat e përbashkëta, për planet dhe programin që pritet të realizojë MKRS-ja gjatë këtij viti, si dhe për synimet që janë gjatë mandatit qeverisës, në plotësimin e objektivave për këtë fazë.
Dumoshi i informoi dy zëvendësministrat për prioritetet dhe sfidat që ka MKRS-ja në fushën e kulturës, të rinisë, të sportit, të trashëgimisë dhe atë të drejtës dhe mbrojtjes së krijimtarisë e të autorëve.
Ajo tha se pret një bashkëpunim dhe bashkërendim të punëve në kuadër të udhëheqjes së MKRS-së.
Zëvendësministrat, Grabovci e Matoshi, e falënderuan ministren Dumoshi për pritjen.
Ata shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe theksuan se do të angazhohen në përmbushjen e objektivave që ka Ministria.