Intervistë/ Mimoza Kusari Lila: Vuçiç nuk e ka guximin të pranojë një zgjidhje për të arritur tek hapi i njohjes. Në “Open Balkan” kurrë, është në dirigjimin e Putin

0
Gjigandi

Nga Klara Dervishi

A do ta pranojë Albin Kurti planin Franko-Gjerman?

A është ai plan një parahap për njohjen e Kosovës apo edhe këtë herë faktori ndërkombëtar ose ndoshta dredhia e presidentit serb do luajë të njëjtën lojë si deri tani me Kosovën?

Pse i druhet Kosova krijimit të Asociacionit dhe pse nuk duhet të jetë ai si një kusht kryesor për të pranuar ose jo planin e dyshes më të rëndësishme europiane?

A është plani aktual një kërcënim për dyshen kundërshtare Kurti- Vuçiç dhe a e ka të qartë vetë BE dhe SHBA se nga një njeri si ai nuk do të vij kurrë një zgjidhje e pranueshme dhe konstruktive?

RonaTyra

abc24.al ka biseduar me shefen e grupit parlamentar të Vetëvendosjes zonjën Mimoza Kusari Lila një nga mbështetëset më dinjitoze të tezës apo të “planit Kurti”.

  1. Zonja Kusari Lila. Si e keni parë „mësymjen“ e ndërkombëtarëve në arritjen e një zgjidhje për të normalizuar marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe po citoj ndërkombëtarët duke thënë këtë.

Dinamizimi i procesit të dialogut paraqet një moment të rëndësishëm me fokus të përqëndruar të përfaqësuesve të vendeve të QUINT-it për zgjidhjen finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Është e domosdoshme përmbyllja e procesit sa më parë me njohjen reciproke në qendër dhe me normalizim të plotë të raporteve në mes të dy shteteve fqinje,.

  1. A është vërtet e mundur arritja e një marrëveshje Kosovë-Serbi që do finalizohet me njohjen e ndërsjelltë?

Jo vetëm që është e mundur, por është e domosodoshme për paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor. Vetëm njohja e ndërsjelltë siguron paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.

  1. A mund ta pranojë këtë Vuçiç?

Thënë të drejtën nuk e besoj se Vuçiç ka interesimin, guximin dhe besimin për të arritur tek një hap i ardhshëm i cili përmbyll një histori me të paktën tri dekada luftëra dhe pastaj mosmarrëveshje dhe pengesa nga Serbia për vendet e rajonit dhe në veçanti për Kosovën. Në cilindo rast, për Kosovën palë dhe garantues për marrëveshjen mbeten shtetet perëndimore dhe aleatët tone strategjik. Serbia nuk është shteti i cili me strukturën aktuale dhe standardet e aplikuara në shtetin e vet, mund të merret si partner serioz në zbatimin e këtyre marrëveshjeve. Sjellja e Serbisë dhe ndërhyrjet e drejtëpërdrejta në Kosovë, në katër komunat në veri të vendit në muajin Dhjetor, bandat e armatosura dhe barrikadat tregojnë për mentalitetin dhe aspiratat okupuese të Serbisë, të njejtat sikur ato të viteve  ’90-të, përveç se tani NATO është prezente në Kosovë dhe Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.

  1. Një fakt një marrëveshje qëndron para dy palëve, i ashtëquajturi plani franko-gjerman. Thuhet se ndërkombëtarët po e “detyrojnë” edhe Serbinë ta pranoj këtë plan por në fakt plani nuk e përmend njohjen fare. Duhet dhe a do ta pranoj Kosova këtë plan si është?

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tashmë është deklaruar për planin si bazë e mirë për diskutime dhe negociata të mëtutjeshme, por gjithashtu, edhe si mundësi për t’u plotësuar tutje me komente nga palët. Andaj, plani si bazë për diksutime të mëtutjeshme është konsideruar si hap pozitiv për procesin në tërësi.

  1. Por në fakt nuk kemi ende një deklaratë të qartë. Kosova e pranon ose më saktë kryeministri Kurti e pranon planin franko-gjerman? Ai thjesht ka thënë që nuk ka pse një pikë e fundit në këtë marrëveshje të vij si e para pra si kusht dhe që bëhet fjalë për krijimin e Asociacioneve.

Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë e tij për të mbajtur procesin dinamik me diskutime të vazhdueshme në mes të palëve. Gjithashtu, Kryeministri Kurti e ka shprehur shumë herë deri më tani se në qendër dhe në fokus të marrëveshjes duhet të jetë njohja dhe jo zgjedhja apo selektimi i marrëveshjeve të nënshkruara vite më parë.

  1. Nga ana tjetër të gjithë thonë , pra ndërkombëtarët që ato duhen krijuar. Pse nuk themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe? Pse nuk e do Kosova ta zbatojë tani këtë ndërkohë që është rënë dakord për ta bërë ? (kuptohet jo nga Kurti)

Asociacioni i komunave me shumicë Serbe paraqet territorializimin e të drejtave të komunitetit Serb, pa specifikuar asnjë të drejtë aktualisht të „munguar“ të Serbëve në Kosovë. Ende më shumë ky koncept i territorilizimit të hapësirës Serbe në Kosovë, kërkohet kur ende Serbia e mban në Kushtetutën e saj Kosovën si pjesë të Serbisë. Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Republika jonë është shtet multietnik i bazuar në të drejtat qytetare për të gjitha komunitetet pa dallim. Ndarja e një komuniteti dhe krijimi i një mekanzimi një etnik, jo vetëm që është e kundërta e frymës së Kushtetutës së vendit, por paraqet edhe një mekanizëm me potencial destruktiv për të ardhmen e vendit.

  1. Ka propozime si p.sh ai që Kosova të pranojë asosiacionin e komunave serbe pa atribute të një pushteti ekzekutiv. Do ishte kjo e pranueshme nga Kosova dhe a është kjo një zgjidhje e mirë?

E vetmja zgjidhje e qëndrueshme është njohja reciproke dhe diskutimi përmbajtësor për të drejtat e komuniteteve në dy shtetet respektive.

  1. Dhe nëse Kosova dhe Serbia do ta pranoj këtë plan, ndërkombëtarët thonë që ata do ndjekin me imtësi zbatimin e tij. A mendoni se edhe nëse pranohet nga Kosova dhe serbia zbatimi do zvarritet si marrëveshjet e tjera?

Përvoja e deritashme e Kosovës në negociatat e deritashme me Serbinë është se garantues në proces është Bashkësia Ndërkombtare, ndërsa Serbia asnjëherë deri më tani nuk ka qenë palë e besueshme në proceset negociatore.

  1. A duhet të kthehen në insitucione serbët e dorëhequr dhe a janë të mirëpritur nga autoritetet kosovare ata?

Në institucionet e Kosovës duhet të aplikojnë dhe përfshihen të gjithë ata/ato që besojnë në shtetin multietnik të Kosovës dhe që synimi i tyre është shërbimi për komunitetin e tyre dhe gjitha komunitetet tjera në Kosovë, e jo shërbimi ndaj interesave dhe politikës së Beogradit.

  1. Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, tha këtë javë se nuk ka presione për të pranuar planin. Po çfarë është kur thuhet se nëse njëra nga palët nuk do e mbështesë Perëndimi do tërheq ndihmën për atë vend e do ia shtojë vendit tjetër?

Më e rëndësishmja është që palët të besojnë dhe pranojnë marrëveshjen. Pa vullnetin politik dhe institucional të shteteve respektive, nuk mund të ketë marrëveshje të suksesshme. Prandaj mekanizmat për të shtyrë shtetet të jenë bashkëpunuese duhet të bazohen në parimet dhe vlerat demokratike dhe shteteve multietnike me të drejta të garantuara për të gjitha komunitetet.

  1. Këto ditë u përfol për një dorëheqje të presidentit serb Vuçiç, që në fakt u pa si një justifikim ndoshta edhe për të pranuar planin franko-gjerman. A mund të ishte ky fundi politik I presidentit serb?

Politika e Presidentit të Serbisë në vitet e fundit ka qenë në vazhdimësi në mes të rolit të viktimës me retorikë dhe pastaj pushtuesit dhe përqarësit me veprime. Andaj, deklarata se mund të jap dorëheqje është vetëm vazhdimësi e retorikës „viktimizuese“ të Vuçiçit, pa ndonjë efekt real në veprimet e tij të radhës në atë drejtim.

  1. Konflikti me barrikadat në veri dhe kërkesa për trupa serbe në Kosovë, a ishte një provokim i hapur i Serbisë?

Po, ishte një provokim dhe një sjellje e dalë jashtë kontrollit duke e shpërfaqur Serbinë e vërtetë dhe qëllimet eskpansioniste të shtetit më destruktiv të rajonit.

  1. Po roli i KFOR në këtë tension ? A ka qënë ai kosntruktiv dhe I drejtpërdrejtë apo ka qënë si gjithmonë I ngadaltë sikur vepron në përgjithësi diplomacia?

KFOR ka mandat të përcaktuar qartë, të ruaj qetësinë dhe sigurinë dhe bashkëjetesën në Kosovë. Situata në veri të vendit ishte e kundërta e krejt çfarë përfaqëson misioni i KFOR-it, andaj edhe pritej një dinamikë tjetër nga KFOR-i. Megjithatë, në ketë proces e rëndësishme ishte koordinimi dhe ruajtja e qetësisë në situatën e potencialit për konflikt të hapur përgjatë kufirit, marrë parasysh prezencën e grupeve kriminale nga Serbia, dhe brenda vendit. Në atë situatË të dramës dhe tensionit, Policia e Kosovës, KFOR dhe EULEX  bashkë me institucionet e Kosovës ishin të mobilizuara dhe në gatishmëri për t’I shërbyer sigurisë në vend.

  1. A ka një vijë te kuqe të treguar nga ndërkombëtarët për Serbinë zonja Lila apo Serbia është parë gjithmonë me syrin e nënës nga ndërkombëtarët ndërsa Kosova me atë të njërkës. Ndoshta edhe për shkak si një vend i vogël e pa ndikim në shumë fusha në rajon?

Kësaj pyetje duhet gjetur përgjigjen në sjelljet e ndërkombtarëve ndaj Serbisë dhe dallimin në mes të kërkesave ndaj Kosovës dhe ndaj Serbisë.

  1. A ishte e vonuar kërkesa për anëtarësim në BE? Kur them e vonuar kam parsysh qeveri të tjera kosovarë para Kurtit?

Kosova ka disa vite që padrejtësisht trajtohet në liberalizimin e vizave për qytetarët e saj. Vendosja e kushteve shtesë, ndërlidhja me kritere politike dhe gjetja e arsyeve të paqena për tjerët para saj, duket se për disa vite e reduktuan synimin e Qeverive paraprake dhe mbajtjen e fokusit vetëm tek liberalizimi. Nënkuptohet që edhe mos njohja nga pesë vendet anëtare të BE-së e ka bërë të veten dhe ka krijuar një qëndrim pasiv ndaj kërkesës dhe aplikimit të domosdoshëm të Kosovës për në BE.

  1. A ishte kjo një zgjedhje taktike e kryeministrit Albin Kurti? Për të treguar nga njëra anë se është pro BE e pro Perëndimit dhe për ta detyruar Vuçiç të pranoj një zgjidhje?

Orientimi pro-Evropian i Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj nuk është zgjedhje taktike, është vlerë e cila është përkthyer në të gjitha normat ligjore dhe institucionale të vendit. Jemi të vetëdijshëm se kemi ende shumë punë për të bërë, por po ashtu jemi të vetëdijshëm se do të na duhen vite prej procesit të aplikimit tek marrja e statusit të vendit kandidat dhe pastaj anëtarësimit të vendit në BE.

  1. Vendosja e Barrikadave në veri a e provokoi vërtet një konflikt të armatosur apo kjo ishte thjesht një lojë e Vuçiç që si ka thënë Eduard Jozef “barrikadat u hoqën për tu vendosur lehtësisht”? A besoni se Vuçiç donte vërtet konflikt apo sic tha Eduard Jozef “barrikadat  u hoqën për t´u vendosur lehtësisht”?

Cilado të kesh qenë qëllimi final i Vuçiçit, një është evidente, që ai mbetet pranë parimit për destabilizim dhe defunksionalizim të Kosovës.

  1. Kujt i intereson tjetër ky konflikt përveç Vuçiç?

Vuçiçi është në linjën e njejtë të vlerave dhe veprimeve sikur edhe Rusia e Putinit. Nëse ekziston edhe një shtet tjetër të cilit i konvenon destabilizimi i Ballkanit Perendimor dhe defunksionalizimi i shtetit të Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi, ai shtet është Rusia me Vladimir Putinin President të saj.

  1. A ka pasur përpjekje të mjaftueshme nga ndërkombëtarët për ta distancuar Vuçiç nga ndikimi rus ose nga Putin?

Parimet e shtetit sovran duhet të promovohen nga vetë udhëheqësit e atyre shteteve, përderisa tek ndikimi Rus në Serbi, nuk mund të mbajmë tjerët përgjegjës, përderisa është rruga të cilës i qëndron besnik Vuçiçi dhe Qeveria e tij.

  1. “Open Balkan”. Një tryezë ku Kosova nuk ka pranuar të ulet. Ç´e keqe mund ti vinte Kosovës nga një ulje në tavolinë qoftë edhe kur mirëpritës është Shqipëria dhe ulje në tavolinë me kundërshtarin e saj, Vuçiç?

“Open Balkan” si nismë është kundërshtuar nga të gjitha subjektet politike në Kosovë që nga inicimi I saj për dy arsye: E para është konsideruar si derë e cila mundëson depërtimin dhe ndikimin Rus në Ballkanin Perëndimor edhe në aspektin ekonomik, dhe së dyti, që aktualizimi i kësaj nisme u bë kur u prezantua si alternativë e procesit të integrimit, në kohën kur BE-ja nuk solli vendim pozitiv për hapjen e negociatave për SHqipërinë dhe Malin e Zi. Kosova nuk e sheh integrimin në BE si proces me alternativë, por si proces një drejtimësh i cili konsiderohet i suksesshëm kur të jemi anëtarë i barabartë me vendet tjera të Bashkimit Europian.

  1. Shqipëria ka dhënë dhe nëse Po çfarë ka dhënë për Kosovën ose çfarë mund të bënte më shumë në planin e mbështetjeve?

Jemi në një botë dinamike me procese dinamikat e të cilave të tjerët shpesh i përcaktojnë për ne. Mbështetja e Shqipërisë për Kosovën është e rëndësisë dhe e peshës së veçantë për ne, andaj edhe një dinamikë më e madhe në mbështetje të Kosovës në procesin e dialogut, në procesin e integrimit rajonal dhe Evropian është më se e domosdoshme

  1. P.sh ka shumë akuza për kyeministrin shqiptar që sipas disa politikanëve dhe analistëve qëndron me afër me presidentin serb sesa me Kurtin. Fakt është që nuk e kemi parë as ne aq të afërt me Kosovën dhe për rrjedhojë as ta ndihmojë shumë cëshjen kosovare.

Nuk dua të komentoj qëndrime të analistëve dhe politikanëve tjerë.

  1. Dhe meqë flasim për mbështetjet ka ende vende që se kanë njohur Kosovën shtet. Ka një ofensivë edhe të ndërkombëtarëve për ta çuar përpara këtë process. Sa e mundur është një njohje e shpejtë nga Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia, dhe Qipro?

Është e domosdoshme njohja nga pesë shtetet anëtare të BE-së për vazhdim të mbarë të procesit të integrimit të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor. Sa do të jetë e suksesshme kjo nismë, varet nga vullneti i secilit shtet veç e veç.

  1. Ndërkohë janë pothuajse të njëjtat shtete që pengojnë edhe vendimin për liberalizimin e vizave.

Vendimi për liberalizim të vizave nuk është bllokuar nga shtetet jo anëtare, paradoksalisht kanë qenë shtetet njohëse kanë qenë ato të cilat kanë vendosur kritere shtesë për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovarët. Megjithatë, tani procesi është në rrugë të mbarë dhe besojmë se më së largu me 1 Janar, 2024 do të hyjë në fuqi liberalizimi edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës.

  1. Sa afër mund të jetë projekti për Kosovën në BE, NATO apo dhe në OKB?

Projekti i Kosovës në NATO, pastaj BE dhe në fund në OKB është projekti në faza të paraqitura për Kosovën.

  1. Dhe e shihni të afërt një Kosovë që të njihet si shtet edhe nga Serbia?

Serbia me frymën dhe pushtetin që aktualisht e ka, dyshoj se ka guximin dhe bindjen të njohë Kosovën.

Vetëm një Serbi demokratike, në respekt të plotë të drejtës ndërkombtare dhe në respektim të drejtave të komuniteteve, është Serbia e cila mund t’a njohë Kosovën. Serbia e sotme nuk është ajo.

27. Sjellja e opozitës në Kosovë? A e ndihmon apo e minon qëllimin për stabilitet?

Sjellja e opozitës në Kosovë duket shpesh pa një cak final, por vetëm në frymë të kundërshtimit të çkado që vjen nga pozita. Në situatën aktuale, do të duhej unitet i veçantë për qështjen e dialogut, përderisa ka mjaftueshëm tema tjera të cilat mund të ushtrojnë pozicionin e tyre prej opozitës.

Faleminderit zonja Kusari Lila

*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e abc24.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e abc24.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu