Nga Klara Dervishi
A synon të gjejë vërtet Gjykata e Hagës se kush i dhunoi, torturoi dhe vrau shqiptarët pas luftës dhe a mund ta kishte evituar Kosova këtë “show” nëse do e kishte bërë vetë një gjë të tillë?
Vullneti politik i munguar apo edhe ndoshta ideja se dhunuesit apo urdhëruesit ishin pjesë e politikës ndoshta e ka penguar një aksion të tillë. Kosova tani në këto momente ka shumë hapa të tjerë për të ndërmarë dhe ndoshta konsumi që po synon ti japë opinion public dhe politik duke treguar gishtin për fajtorë ende pa u shprehur gjykata synon thjesht të tërheq vëmendjen nga shumë procese të tjera pse jo, edhe ato që synojnë afrimin e Kosovës me organizata të rëndësishme ndërkombëtare. A është Serbia armiku kryesor i Kosovës apo më i rrezikshmi është Rusia e cila ka deklaruar se nuk do ta njohë Kosovën edhe nëse Serbia e bën një gjë të tillë.
Unë kam biseduar këtë herë me ish ambasadorin shqiptar në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut zotin Arben Çejku i cili ka një këndvështrim interesant jo vetëm për gjyqin por edhe për zhvillimet në rajon e më gjerë.
- Zoti Çejku, pas gati dy vitesh ka nisur gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sa i paragjykuar është ai dhe sa shumë përpiqet ta zhvlerësojë ky proces luftën për liri në Kosovë?
Procesi gjyqësor që ka nisur në Hagë me akuza ndaj disa prej krerëve të UÇK-së dhe njëherësh ish-drejtuesve të rëndësishëm politik të shtetit të Kosovës është në qendër të vëmendjes së opinionit të përgjithshëm botëror dhe atij shqiptar. Natyrisht, si çdo proces, edhe ky që ka nisur në Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Kosovës me Qendër në Hagë, rrethohet me paragjykime dhe vlerësime të ndryshme. Mirëpo, unë mendoj se kur kjo gjykatë do të japë verdiktin e saj në fund të gjykimit, atëherë do të shohim se sa qëndrojnë paragjykimet dhe reagimet tona politike e publike.
Unë nuk besoj se ky proces po zhvillohet si një mekanizëm ndërkombëtar për të zhvlerësuar luftën për lirinë e Kosovës. Ka shumë teori konspirative në qarkullim, por luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri e pavarësi, sakrificën e luftëtarëve të UÇK-së dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për liri, nuk e ka vënë askush në dyshim. Madje edhe prokurorët në Hagë përpiqen ta qartësojnë këtë.
Ashtu si ndërhyrja e NATO-s kundër Milosheviçit ishte një akt i drejtë në mbrojtje të vlerave humane dhe ndalimit të genocidit serb mbi Kosovën, edhe lufta çlirimtare e UÇK-së, ishte e drejtë dhe legjitime dhe nuk mund të gjykohet nga askush, qoftë kjo edhe një gjykatë speciale. Përpjekjet për liri, pavarësi dhe shtet-formim, kanë zënë një vend nderi në historinë e lavdishme të Kosovës moderne.
Përgjegjësia individuale për krime të caktuara, nëse vërtetohet nga Gjykata Speciale, atëherë, kjo nuk duhet të lidhet me emblemën e nderuar të UÇK-së dhe rolin e saj për liri.
Natyrisht, nuk mund të mos marrim në konsideratë faktin, që ky proces delikat që po zhvillohet në Hagë, nuk ka në qendër vetëm ish-drejtues të UÇK-së, por edhe ish-drejtuesit kryesore të shtetit të Kosovës, të cilët kanë dhënë një kontribut për proceset e pavarësisë dhe shtetit të ri. Simbolika e gjykimit të këtyre drejtuesve nga një gjykatë speciale me akuza të rënda “për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte”, më shumë se imazhin e UÇK-së, dëmton imazhin e shtetit të ri të Kosovës. Dhe, për këtë qëllim, duhet që të gjithë të angazhohen në mbrojtje të të gjitha arritjeve të derisotme të Kosovës!
- A është ky gjyq një njollë e zezë për ndërkombëtarët që, nga njëra anë ndërhynë me NATO për të çliruar Kosovën dhe nga ana tjetër fajësojnë viktimën, pra Kosovën?
Themelimi i Gjykatës Speciale, në thelb është një vendim që e ka marrë Kuvendi i Kosovës, duke përfshirë edhe votën e disa prej drejtuesve politikë që sot janë në Hagë. SHBA, aleati kryesor i Kosovës, qëndron prapa ndërtimit dhe funksionimit serioz të kësaj gjykate, në bashkëpunim me BE dhe vende mike të Kosovës. Pas akuzave të Dick Marty-t, Rusia kërkoi në OKB ngritjen e një gjykate speciale jashtë Kosovës dhe jashtë juridiksionit të Kosovës. SHBA dhe BE nxitën Kosovën ta themelojnë këtë gjykatë brenda kuadrit juridik të shtetit të Kosovës. Pra, kjo gjykatë, pavarësisht akuzave, është e Kosovës, ndonëse prokurorët dhe gjyqtarët janë të huaj. Ky është një rast sui generis.
Unë nuk besoj se ndërkombëtarët po synojnë të dënojnë Kosovën, por po synojnë të sqarojnë një numër të madh rastesh, ku dyshohet se ka përfshirje të disa personave të caktuar në keqtrajtime, dhunime, torturime dhe vrasje të shqiptarëve, kryesisht pas luftës. Në Kosovë, ka mbi 1000 viktima dhe raste tragjike, të cilat nuk janë zbardhur plotësisht dhe nuk është dhënë kurrë drejtësi për familjet e viktimave. Nga viti 2008 deri në 2015 Kosova mund të kishte trajtuar disa nga rastet dhe t’u kishte dhënë zgjidhje, duke shmangur kështu ngritjen e një Gjykate Speciale. Anashkalimi dhe injorimi për të dhënë drejtësi për të gjitha këto krime, çuan në hartimin e aktakuzës që kemi dëgjuar së fundi në Hagë.
- Nga akuza del se të akuzuarit, pra shqiptarët kanë kryer krime ndaj shqiptarëve. Nëse provohet kjo, a duhet të themi se nëse ka ndodhur të dënohen përgjegjësit?
Akt-akuza përmban raste të shumta për të cilat akuzohen ish-Presidenti Thaçi, ish-Kryekuvendarët Krasniqi e Veseli dhe deputeti Selimi. Tani jemi në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve të prokurorisë. Do të dëgjohen pastaj edhe dëshmitarët e palës mbrojtëse. Ky do të jetë një kalvar i vërtetë juridik, për shkak të numrit të madh të rasteve dhe të dëshmitarëve. Deri kur kjo gjykatë të japë verdiktin e saj për secilin rast, për secilën akuzë dhe për secilin të akuzuar, ata që gjenden në Hagë konsiderohen të pafajshëm.
Në mediat e Kosovës, përfshi televizionet, prej vitesh janë bërë akuza publike të ndërsjellta për raste të veçanta krimi. Por, tashmë është gjykata ajo që do të vendosë për zbardhjen e tyre dhe dënimin e fajtorëve. Të gjithë faktorët dhe vetë qytetarët duhet të presin vendimet e gjykatës. Duhet shmangur politizimi i debateve rreth procesit që po zhvillohet në Hagë, sepse ai nuk ndihmon as familjarët e viktimave dhe as ata që janë të akuzuar.
- A duket sikur Perëndimi kërkon të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë përmes këtij gjyqi që ka nuanca politike, përderisa deri tani provat nuk duken?
Procese të tilla gjykqësore, si ky që po zhvillohet në Hagë kundër disa liderëve të rëndësishëm të Kosovës, sigurisht që kanë ndikimet e tyre në çështje të caktuara. Në këtë rast, Serbia minimumi ka përfituar terren për propagandën e saj kundër shtetsisë së Kosovës dhe themeluesve të këtij shteti. Kjo propagandë është ndikuese tek ato shtete që nuk e kanë njohur ende Kosovën apo që hezitojnë ta njohin.
Unë nuk besoj se me themelimin e Gjykatës Speciale, perëndimi ka dashur t’i japë një koncension Serbisë. Përkundrazi, që në fillim është thënë, se kjo gjykatë synon të pastrojë imazhin e Kosovës nga gjitha akuzat që i janë ngarkuar ndër vite nga propaganda serbe dhe duan që drejtësia të jetë një vlerë e shtuar për shtetin e ri të Kosovës dhe jo një goditje në zemër të saj.
Kosova dhe Serbia kanë bërë hapa të rëndësishëm përpara në afrimin e tyre drejt njohjes reciproke dhe bashkëpunimit bilateral. Në vitet që vijnë, procesi në Hagë do të duket gjithnjë e më i izoluar nga zhvillimet në Kosovë dhe përreth saj. Dinamika e shtetit të Kosovës është më e madhe se çdo zhvillim tjetër, qoftë ky edhe gjykimi i disa krimeve nga Specialja e Kosovës në Hagë.
- Por ndërkohë nëse ka të dënuar pra, nëse do ketë të dënuar nga ky gjyq thuhet se Serbia do kërkojë rishikimin e historisë. Duket si hipotezë qesharake por edhe si një moment kritik.
Serbia prej kohësh “shkruan” në mënyrën e saj historinë për Kosovën, duke mbivendosur hipoteza dhe shpifje mbi faktet. Tendenca kryesore e saj ka qenë dhe mbetet amnistimi i genocidit serb mbi Kosovën, fshehja e krimeve, mostregimi i varreve masive me viktima civile të Kosovës, mos-bashkëpunimi për gjetjen e të zhdukurve etj, etj. Serbia vazhdon dhe do të vazhdojë të shkruajë për Kosovën, të prodhojë dokumentarë dhe emisione speciale me qëllim përdorimin e saj për interesa të brendshme politike, por edhe për interesa më të gjera strategjike.
Por, historinë e Kosovës duhet ta shkruajë pikë së pari Kosova dhe njerëzit e saj. Me keqardhje, vë re se në këtë drejtim është bërë shumë pak ose aspak pas viteve 2000. Mjafton të them se sot në Kosovë, madje as në Prishtinë, nuk kemi një muze të krimeve serbe në Kosovë, një muze të rezistencës dhe tragjedive të luftës në Kosovë. Nuk ka institute të mirëfillta që studiojnë arkivat dhe faktet historike. Xhelozitë individuale dhe nepotizmi politik e partiak i kanë zënë frymën një shpalosjeje të fakteve dhe ngjarjeve historike që kanë ndodhur në Kosovë nga viti 1980 – 2000.
Nuk duhet të presim që edhe historinë e vërtetë të Kosovës të na e shkruajnë serbët, por ajo duhet të shkruhet nga shqiptarët në Kosovë.
Nëse sot do të kishte arkiva, muze, dokumentarë, libra etj, që dëshmonin mizoritë e ushtrisë e policisë së Milosheviçit në Kosovë, edhe për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, do të ishte më e lehtë. Por, ndonjëherë, lufta për pushtet, ka qenë më e madhe se lufta për shtet dhe sot gjendemi këtu ku jemi..
- Presidentja Osmani ka dhënë alarmin këtë javë përsa u përket taktikave “të rrezikshme për Ballkanin dhe të njëjta me ato që përdor Rusisa ndaj Ukrainës”. E shihni si një rrezik të mundshëm këtë sjellje të Serbisë?
Unë nuk shoh ndonjë rrezik nga Serbia në drejtim të Kosovës. Përdorimi politik i incidenteve të ndryshme në Kosovë apo në Serbi, nuk provojnë se ka një strategji të rikthimit të Serbisë në Kosovë. Madje, hapat që janë bërë kohët e fundit nga lideri Kurti, kanë siguruar akoma më shumë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Ne presim dështimin e plotë të Rusisë në Ukrainë dhe jo rikthim të Serbisë në Kosovë! Garancia për lirinë, paqen, sovranitetin dhe integritetin e Kosovës është shumë herë më e madhe se çdo lloj propagande miope për gjoja rikthim te Serbisë. Ndonjëherë, Serbisë i jepen përmasa të pamerituara, duke harruar se ajo ka problemet e saj të brendshme dhe se populli serb e di fare mirë se Kosovën e ka humbur përgjithmonë.
- Pra a ka një mundësi që Serbia të rimarë territorin e Kosovës si Rusia në Ukrainë?
Kurrë! Nuk ka asnjë mundësi.
- Një armatosje nga ana e Serbisë për grupet paraushtarake sa e rrrezikon sigurinë në Ballkan?
Manovrat e Serbisë në drejtim të armatosjes dhe fuqizimit të ushtrisë së saj, sigurisht që e intimidojnë sigurinë në rajonin tonë, për aq kohë sa Serbia nuk është anëtare e NATO-s. Por, nga ana tjetër, mendoj se Serbia nuk ushqen iluzionet e nisjes së një konflikti të ri në Ballkan, kur e di shumë mirë se ky akt do të ishte fundi i saj. Serbia ka një bashkëpunim të mirë në rritje me SHBA dhe me NATO-n, ndaj nuk shoh ndonjë rrezik potencial në aspektin e sigurisë rajonale. NATO ka kontroll të mjaftueshëm mbi Ballkanin Perëndimor dhe sfidat e sigurisë sonë janë duke u ballafaqur në zona të tjera jashtë Ballkanit..
- BE ka dhëën këtë javë ultimatum tjetër duke deklaruar se të dyja vendet do kenë pasoja, nëse nuk e nisin zbatimin e planit të “firmosur” në Ohër. Mendoni se Kosova apo Serbia do të sjellë pengesa në këtë drejtim?
Pavarësisht se Marrëveshja Kosovë – Serbi për Normalizim të Mëtejshëm të marrëdhënieve nuk u firmos as në Bruksel dhe as në Ohër, ajo mbetet një dokument angazhimi për të dyja palët. Kosova më shumë e Serbia më pak, janë të interesuara ta zbatojnë atë pjesë – pjesë. Natyrisht, Kosova ka më shumë nevojë të dëshmojë përballë ndërkombëtarëve përgjegjshmëri dhe seriozitet, sepse synon të marrë njohjet e munguara dhe të anëtarësohet në organizma ndërkombëtare. Por edhe Serbia, ka interesat e saj për të bërë progres. Ajo, është një marrëveshje e pranuar nën trysni dhe si e tillë do të zbatohet deri në fund.
- Dhe përsa i përket pikës për të mos ndaluar anëtarësimin e Kosovës në OKB, thuhet se do jetë Rusia ajo që do e ndalojë një hap të tillë. Në fakt duket sikur lidershipi serb luan me dy porta në këtë drejtim.
Rusia është armiku kryesor i Kosovës, jo sepse ka interesa direkte në Kosovë, por sepse Kosovën dhe rastin e saj e përdor për interesat e saj gjeostrategjike. Rusia do ta mbajë peng Kosovën për aq kohë sa do ta ketë fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit në OKB. Edhe nëse Serbia një ditë do ta njohë zyrtarisht Kosovën (dhe kjo ditë nuk është larg), Rusia do ta refuzojë. Këtë e ka bërë të qartë herë pas here Kremlini, kur ka thënë që “edhe nëse Serbia e pranon Kosovën, Rusia nuk do ta pranojë kurrë”. Por, me Rusinë, pa Rusinë, Kosova ka rrugën e vet të ndritur përpara për aq kohë sa mazhoranca e vendeve demokratike e ka pranuar dhe do vijojë ta pranojnë edhe të tjerë së shpejti.
Rusia nuk është thjeshtë një problem për Kosovën, por ajo si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, është kthyer në kërcënim serioz për paqen globale dhe vetë OKB ka nevojë për të kryer reforma të brendshme organizimi dhe funksionimi. Nuk mund të pranohet sot, që një nga anëtarët përgjegjës për paqen në botë, të jetë njëkohësisht edhe agresori kryesor ndaj një shteti fqinj (Ukrainës).
- Në planin Europian nuk u përfshi njohja reciproke. Në fakt nuk pritej ndryshe, por ditët e fundit ka shprehur zhgënjim edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani që kjo nuk ishte në planin Europian.
Nuk i kam ndjekur reagimet e zonjës Osmani këto kohët e fundit, Mbaj mend një reagim të saj kundër Borrell dhe Lajçak, por nuk di çfarë ka thënë kohët e fundit. Kjo për arsye se protagonist kryesor ka qenë Kryeministri Kurti dhe unë kam ndjekur qëndrimet e tij. Njohja reciproke ishte më shumë një premtim nga Prishtina, se nga Brukseli. Prandaj, duhet kujdes kur komunikohet me publikun, duke mos rritur pritshmëri të pamunshme në realizim.
- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia po përdor taktikat ruse për të frikësuar Kosovën.
E kam thënë dhe e them që Kosova nuk ka pse kompeksohet nga Serbia, për aq kohë sa ulet në një tryezë me të dhe bisedojnë për bashkëpunimin dhe të ardhmen. Serbia mund të realizojë ushtrime stërvitore apo mund të përdorë propagandë kundër Kosovës për interesa ditore, por kjo nuk duhet ta kompleksojë Kosovën. Mendoj se duhen përdorur me kujdes të tilla retorika, që thjeshtë nxisin një panik të panevojshëm dhe nuk janë të dobishme për rrugën euro-atlantike të Kosovës.
- Votimi për heqjen e vizave u krye. Duket si një nga „shpërblimet“ që po i jepet kosovës që firmosi marrëveshjen edhe pse i ka takuar me kohë të ketë një lëvizje të lirë?
Ky është një akt i vonuar i Brukselit, por më mirë vonë sesa kurrë. Tani institucionet e Kosovës duhet të punojnë ngushtë me ato të BE-së, me qëllim që Kosova të plotësojë të gjitha kriteret teknike deri në Dhjetor. Uroj që hapa të tjerë të ngjashëm, që afrojnë Kosovën me BE të ndërmerren në të ardhmen. Por për këtë, më shumë punë kërkohet në Prishtinë, sesa në Bruksel.
21 Prill 2023
Tiranë
- Zoti Çejku ka qenë ish-Amasador i Shqipërisë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut dhe aktualisht është Drejtor i ACGG – Qendra Shqiptare për Qeverisje të Mirë.
*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Abc24.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Abc24.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*